Rajoni

Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet presidenciale/Shqiptarët me dy kandidatë!

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e shtetit. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.317 persona që duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve. Në garë është presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).

Opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO-DPMNE/ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën, e cila garoi edhe më 2019-ën.

Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN merr pjesë me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kreu i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, si dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Sipas dispozitave ligjore, në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Në të dytin kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50% të tyre, me kusht që në zgjedhje të dalë mbi 40% e elektoratit. Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40%. Fushata elektorale ka zgjatur 20 ditë dhe është përcjellë me akuza të shumta mes kandidatëve.

Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së kutive të votimit, në orën 19.00.

Nga KSHZ-ja kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira e demokratike, për të dëshmuar se “Maqedonia e Veriut mund të organizojë zgjedhje sipas standardeve evropiane”. Në këtë drejtim, kandidatët për president kanë nënshkruar edhe një kod për zgjedhje të drejta e demokratike, si dhe për t’u përmbajtur nga etiketimet e gjuha e urrejtjes.

Temat që dominuan fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimin europian, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, gjendjen e gjyqësorit dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut e rajon.

Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë pritet të jetë test për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, bashkë me raundin e dytë të presidencialeve. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve akreditoi 342 vëzhgues vendas, 517 të huaj, 51 përkthyes e 32 gazetarë të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. MPB-ja nuk ka bërë të ditur numrin e policëve të angazhuar në qendrat e votimit, por nga ky dikaster thanë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrjedhës së procesit në pjesën perëndimore të vendit.