Rajoni

Milorad Dodik ngre padi penale kundër përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnjë!

Në Bosnjë-Hercegovinë, presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, thellon mosmarrëveshjen me komunitetin ndërkombëtar, paraqet “ankesë penale” kundër përfaqësuesit të lartë.

Kam bërë kallëzim penal kundër [Përfaqësuesit të Lartë Christian] Schmidt në Prokurorinë Publike të Qarkut në Banja Luka. Ka kohë që ai merret me punët e përfaqësuesit të lartë pa autorizim, pa një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dodik pretendon se “për të shkaktuar dëme në Republikën Srpska, në mënyrë të rreme, Schmidt paraqitet si zyrtar, duke e ditur se nuk është emëruar në përputhje me Aneksin 10 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, Schmidt ka fuqinë të imponojë ligje, si interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës së shtetit, megjithëse vendimet e tij mund të shqyrtohen e vihen në dyshim nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, nëse Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) miraton.

Akordi që i dha fund Luftës së Bosnjës në vitet ‘92-95, vendosi një sistem administrativ, sipas të cilit shteti boshnjak mbetet i ndarë midis Republikës Srpska (RS) dhe Federatës Myslimane Boshnjako-Kroate, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore.

Serbët e Bosnjës nuk e njohin Schmidt-in, i cili u emërua më 2021-shin si përfaqësues i lartë, sepse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e miratoi emërimin e tij. Kina dhe Rusia kundërshtuan emërimin, pasi nuk u konfirmua nga Këshilli, por vendet e tjera thanë se nuk kërkohej.

Dodik sulmoi dhe drejtorin e Fletores Zyrtare të Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Prusina, duke paraqitur kallëzim penal kundër tij, për publikimin e kërkuar ligjërisht të dekreteve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Një ditë më parë, Dodik ktheu në ligj ndryshimet e diskutueshme, të miratuara nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska dhe që e lejojnë të shpërfillë vendimet e marra nga Schmidt, si i dërguari ndërkombëtar.

Pas veprimit, vendimet e OHR-së nuk publikohen më në entitetin serb të Bosnjës.

Lëvizjet e Dodik-ut, i cili për vite me radhë udhëheq një fushatë gjithnjë e më nxitëse, erdhën një javë pasi Schmidt anuloi disa vendime të diskutueshme që kundërshtojnë një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës civile në vend.

Më 1 korrik, Schmidt deklaroi:

Vendimet e fundit të marra nga Asambleja e Republikës Srpska përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues të Bosnjë- Hercegovinës dhe gjithashtu të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Dodikun për shkelje të kushtetutës së Bosnjës dhe minim të Marrëveshjes së Dejtonit.