Aktualitet

Ministri Hasani në Budapest, firmos 2 marrëveshje në fushën e arsimit dhe diplomacisë: Hungaria, më e pranishme se kurrë në tregun shqiptar!

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ndodhet në Budapest, është pritur nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Hasani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE, teksa nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen dita-ditës.

“Fakti që Presidenca Hungareze e Këshillit të BE e ka shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj, është treguesi më i qartë i këtij përkushtimi. Ne do të kishim dashur që rajonin tonë dhe rëndësinë e integrimit të tij ta kuptonin sa më shumë vende të BE po aq mirë sa e kuptojnë miqtë tanë hungarezë. Jam i bindur që procesi do të kishte qenë sot shumë më i avancuar”, tha kryediplomati shqiptar.

Sipas ministrit Hasani, ka rritje të qartë të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, teksa theksoi se sot Hungaria është më e pranishme se kurrë në tregun shqiptar.

Ministri Szijjarto u shpreh se situata e sigurisë në Evropë është e paqëndrueshme, teksa theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor është kyç për sigurinë e Evropës dhe më gjerë.

“Prioritet i presidencës tonë është zgjerimi i BE. Dimë që do jetë një betejë e fortë sepse pas dyerve të mbyllura ka vende që s’e duan këtë. Por ky s’do jetë rasti i Shqipërisë. 20 vjet përpjekje dhe besojmë se Shqipëria është gati për negociatat. Sa më shumë vonesa, aq më shumë në pikëpyetje integriteti i BE në rajon”, tha ai.

Dy ministrat nënshkruan dy marrëveshje, të cilat kontribuojnë konkretisht për të thelluar lidhjet Shqipëri-Hungari.

Marrëveshja Stipendium Hungaricum për bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit synon të forcojë bashkëpunimin përmes shkëmbimit të studentëve dhe përvojave në arsimin universitar dhe pas-universitar, deri në vitin 2027.

Ndërkohë që Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e diplomacisë synon vendosjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për trajnimin e diplomatëve dhe shkëmbimin e informacionit në disiplinat akademike relevante.