Rajoni

Ministri Sveçla: Njëri prej sulmuesve të vrarë në Banjskë, roje e Vulinit më 2013-ën!

Njëri prej sulmuesve të vrarë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është Bojan Mijailoviç, roje e shefit të Agjencisë së Serbisë për Sigurinë dhe Informacionin, Aleksander Vulin. Ai e ka shoqëruar gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë, në vitin 2013. Kjo u bë e ditur sot nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.  Në një postim në Facebook, Sveçla shkruan:

Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiqit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të SHBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

Për mungesë provash të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale liroi katër të arrestuar më 24 shtator në Banjskë të komunës së Zveçanit, në veriun me shumicë serbe. Ata u prangosën në kohën kur në afërsi të manastirit në Banjskë po zhvilloheshin përleshje mes Policisë së Kosovës e një grupi të armatosur.

Në atë sulm, që për Prishtinën ishte terrorist mbetën të vrarë një efektiv i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe tre sulmues. Policia arrestoi edhe katër vetë të tjerë. Për tre prej tyre është marrë vendim për paraburgim prej një muaji.

Të dyshuarit me inicialet B.S., D.M e V.T, akuzohen për veprat penale kryerja e veprave terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetutes e sigurisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Milan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Një ditë më parë, Sveçla publikoi një video të regjistruar me dron e ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë. Lista Serbe, forca politike që ka mbështetjen e Beogradit nuk ka reaguar. Po ashtu, nuk po reagojnë as institucionet në Serbi lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit.

Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian, si dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.