Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes: 14 vatra janë neutralizuar, po shtojme kapacitetet për shuarjen e flakëve!

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bere me dije se efektivët e FA kanë mundur të neutralizojnë rreth 14 vatra zjarri në ishullin e Sazanit.

MESAZHI

Pas një pune të pandërprerë, efektivët e FA kanë mundur të neutralizojnë rreth 14 vatra zjarri në ishullin e Sazanit.
Rreth 100 trupa të tjerë të Forcave të Armatosura po dërgohen në terren, ndërsa janë vënë në dispozicion edhe 3 anije të Forcës Detare. Trupat vazhdojnë operacionin e izolimit të plotë të flakëve, krijimin e brezit të shpyllëzimit me mjete shtesë nga Komanda Mbështetëse.

Punonjësit që po merren me fikjen e tyre kanë filmuar gjendjen, ndërsa prej dy ditësh po punohet për fikjen përfundimtare të tyre.

Haki Çako, kreu i emergjencave civile tha se trupat që janë në terren për të fikur zjarrin në Sazan janë të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, ndërsa sqaroi se nuk ka pasur shpërthime.

Ai tha se pas dy ditësh mes zjarreve, situata është nën kontroll. Mjetet e përdorura janë në orët e fundit të rehabilitimit të tyre, ndaj Çako shprehu nevojën për mbështetje nga ajri, ndërsa tregoi se ministri i Mbrojtjes dhe ai i Emergjencave janë në një takim me ministrin grek të Mbrojtjes për të shqyrtuar më tej situatën.