Sport

Miqësorja me Katarin, Reja publikon sot listën e lojtarëve të ftuar!

Këtë të shtunë, pra nesër, Kombëtarja shqiptare e Futbollit do të nisë përgatitjet për miqësoren e radhës që pritet të luhet ndaj Katarit, javën e ardhshme, në datën 9 nëntor. Skuadra kuqezi do të zhvillojë seancën e parë stërvitore të shtunën e 5 nëntorit në ora 15:00, në kompleksin “Tropikal” në Durrës, aty ku do të qëndrojë e grumbulluar për disa ditë.

Do të jetë nga kampionati shqiptar, pjesa më e madhe e lojtarëve që do të ftohen nga trajneri italian, Edoardo Reja për këtë ndeshje. Ndërkohë, ashtu si në miqësoren me Arabinë Saudite edhe ky test cilësohet si një tjetër mundësi e mirë për të provuar e gjithashtu për të parë në aksion, elementët e spikatur të kampionatit shqiptar. Lista e lojtarëve të ftuar do të publikohet gjatë ditës së sotme, para nisjes së grumbullimit, ndërkohë që tekniku i kuqezinjve, Reja do të dalë të shtunën, në ora 13:00, në një konferencë për media te “Tropikal”.

Përfaqësuesja do të stërvitet rregullisht të dielën e të hënën, ndërsa të martën në mëngjes do të niset drejt Spanjës, ku pasdite pritet të zhvillojë edhe një seancë të fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes, në Marbella. Ndeshja miqësore Shqipëri-Katar do të luhet pikërisht në stadiumin e Marbella-s e do të nisë në orën 18:30.

Të dyja federatat arritën marrëveshjen për këtë miqësore dhe kanë zyrtarizuar akordin për atë që do të jetë përballja e tretë në histori mes dy vendeve. Dueli i parë mes Shqipërisë dhe Katarit është luajtur në maj të vitit 2012 dhe miqësorja e luajtur në Madrid përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve, me gola të shënuar nga Elis Bakaj dhe Erion Bogdani.

Sfida e dytë ka qenë ajo e luajtur më 22 maj 2016 në Austri, një nga testet e fundit para pjesëmarrjes së Shqipërisë në finalet e Euro “Francë 2016”. Miqësorja u mbyll me fitoren 3-1 të përfaqësueses shqiptare, me gola të realizuar nga Arlind Ajeti, Ermir Lenjani e Armando Sadiku.

Ndërkaq, me Katarin do të jetë miqësorja e parë e nëntorit për Shqipërinë nga tre të programuara, teksa në datën 16 nëntor do të luajë me Italinë dhe më 19 nëntor do të sfidojë Armeninë. Të dyja këto miqësore do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.