Bota

Mungesa e armëve të Perëndimit për Ukrainën, Zelensky vijon me kritikat!

Volodymyr Zelensky u ankua edhe një herë mbi mungesën e mbështetjes së armëve nga Perëndimi në luftën kundër pushtimit rus. “Partnerët tanë kanë disa armë që na duhen sot për të mbijetuar. Dhe thjesht nuk e kuptoj pse nuk i marrim këto armë”, tha presidenti ukrainas në një intervistë për gjermanen “Bild”. Kohët e fundit, ai po kërkon për më shumë sisteme e municione të mbrojtjes ajrore.

Zelensky vizitoi Kharkivin, rajon i cili është goditur nga sulmet ruse dhe këtë e bëri për të vënë në dukje dëmtimin e infrastrukturës energjetike, si dhe problemet me furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, në një intervistë për mediat “Welt”, “Politico”, “Business Insider” dhe “Onet”, gjithashtu Zelensky e bëri të qartë se vazhdon që të shpresojë për raketat “Taurus” të Gjermanisë, me rreze të gjatë veprimi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Bundestagu refuzojnë dorëzimin e sistemit të armëve “Taurus”. Rusia ka stoqe shumë më të mëdha armësh e më shumë njerëz për të dërguar në front. “Por, Perëndimi i bashkuar ka sisteme moderne të armëve”, theksoi Zelensky.

Me sa kuptoj unë, kancelari thotë se Gjermania nuk është një fuqi bërthamore.

Ndërkaq, lideri ukrainas po pret që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili kërkon rizgjedhjen në fund të vitit, të vizitojë Ukrainën së shpejti. Trump pranoi një ftesë, por asnjë datë nuk është caktuar.

Siç dihet, Rusia e presidentit Vladimir Putin po zhvillon luftën pushtuese kundër Ukrainës prej më shumë se dy vitesh tashmë. Ndërkaq, Zelensky vazhdon të shpresojë për miliarda dollarë ndihmë amerikane për luftën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron u bashkuan duke i bërë thirrje Kongresit Amerikan që të miratojë ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, duke theksuar se “financimi është kritik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Europës e mbarë botës”.

Duke folur pas takimit në Departamentin e Shtetit në Uashington, Blinken përsëriti thirrjet për ligjvënësit që ta zhbllokojnë ndihmën që presidenti Joe Biden kërkon prej muajsh, ndërsa Cameron tha se do ta kërkojë të njëjtën gjë gjatë takimeve që pritet të zhvillojë në kuadër të vizitës në Uashington.

Zelensky ka deklaruar vazhdimisht se pa ndihmën e Perëndimit, Ukraina do të përballej me humbje në luftë. Po ashtu, nuk e ka fshehur se dëshiron të qëndrojë në vend, në rast dështimi të afërt.

Unë nuk mund të largohem nga vendi im, në asnjë rrethanë!