Rajoni

MV, opozita shqiptare gati për qeverisje me VMRO-DPMNE/në!

Ndonëse nuk fitoi kundrejt BDI-së, opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut u deklarua për një qeverisje me VMRO-DPMNE/në që deri tani ishte në opozitë.

Besojmë se duke i pasur parasysh numrat do të kemi një shumicë të sigurt, ndaj jemi të bindur se qeveria e re do të formohet shumë shpejt”, tha Bilal Kasami nga koalicioni VLEN.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili gjatë fushatës ka kritikuar vazhdimisht VMRO-DPMNE/në për ato që i ka quajtur “politika antieuropiane”, bëri thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve, të shprehur në zgjedhje, me qëllim “ruajtjen e paqes e të stabilitetit”.

Sot, shteti jonë më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, luftë kundër korrupsionit dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE, tha Ahmeti.

Çështja e integrimit europian nuk u përmend as nga fituesja e zgjedhjeve presidenciale, Gordana Silanovska Davkova, nga krahu i djathtë. Ajo tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Humbësi i zgjedhjeve presidenciale, Stevo Pendarovski, shprehu keqardhje që siç tha, koncepti i tij për shoqëri shumetnike, të integruar në strukturat euroatlantike, nuk mori mbështetjen e qytetarëve. Pendarovski deklaroi se mbetet thellësisht i bindur se vetëm një vend i tillë mund të jetë i begatë dhe demokratik.

Në zgjedhjet presidenciale votuan mbi 46% e mbi 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa dalja në votime për zgjedhjet parlamentare ishte mbi 53%.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes 7-vjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare të një dite më parë. VMRO-DPMNE-ja nuk do të jetë më në opozitë, pasi u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet politike.

Kandidatja opozitare për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65% të votave, kundrejt presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30% të tyre. VMRO-DPMNE/ja shënoi fitore të thellë në zgjedhjet politike, me 59 mandate nga 120 vende që ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990. Tani do të ketë vetëm 19 deputetë, një më shumë se Fronti Europian që kryesohet nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), me 18 mandate.