link in bio Sport

Myrto Uzuni i “dërgon mesazh“ trajnerit Sylvinho, e nis me gol vitin 2024!

Myrto Uzuni vazhdon të kalojë një formë të mirë me ekipin e tij në Spanjë, ndryshe nga paraqitjet e tij me Kombëtaren tonë, ku për hir të vërtetës është aktivizuar shumë pak nga trajneri Sylvinho. Ditën e djeshme kampionati spanjoll u rikthye të luhej përsëri në fushën e lojës. Granada dhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, e kanë nisur me këmbën e mbarë vitin 2024.

Ka qenë pikërisht goli i sulmuesit beratas ai që i hapi Granadës rrugën e fitores ndaj Kadizit, takim i cili u mbyll në shifrat 2-0.  Ky është goli i gjashtë për Uzunin në La Liga, në 18-të ndeshje të luajtura deri tani me Granadën. Uzuni e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 22-të, por u deshën dy minuta kohë që ky gol të verifikohej nga VAR-i për t’u quajtur i rregullt. Në fund të pjesës së parë miqtë fituan një penallti, por VAR-i e anuloi për simulim të sulmuesit të Kadizit. Situata u përkeqësua më shumë në fillim të pjesës së dytë, pasi mbeten me 10 lojtarë. Në minutën e 70-të Granada shënon edhe golin e dytë me Zaragozën dhe me rezultatin 2-0 arrin të marrë një fitore shprese për të mbijetuar në La Liga. Me këtë trepikësh Granda shkon në kuotën e 11 pikëve, por mbetet sërish në vend të parafundit në kampionatin spanjoll. Ndoshta nësë vazhdon të shënojë mund t´i japë një mesazh të fortë trajnerit Sylvinho përpara kampionatit europian që do të luhet në muajin qershor në Gjermani. Ndërkaq rikujtojmë se Kombëtarja e jonë do të zbresi sërish në fushën e lojës në muajin mars.