Aktualitet

Ndërron jetë ish-presidenti Bujar Nishani!

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ndërron jetë pasi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Prej disa javësh, ish-kreu i shtetit gjendej i shtruar në një spital në Gjermani, ku u dërgua me urgjencë për pneumoni bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi.

Mësohet se Nishani po mbahej në jetë përmes aparaturave. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19, dy muaj më parë. Pasi e kaloi pak kohë më parë koronavirusin, u trajtua në kushte shtëpie, por u përball me ndërlikimet e sëmundjes.

Fillimisht, ish-kreu i shtetit u shtrua në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të njohur ndryshe si Sanatoriumi. Por, me kërkesë të familjarëve, pas datës 20 prill u dërgua në Gjermani, për të qenë nën survejimin e mjekëve gjermanë.

Politikani demokrat, Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial 5-vjeçar e nisi më 24 korrik 2012 për ta përmbyllur më 24 korrik 2017.

Mes posteve që ka mbajtur në Partinë Demokratike ishte edhe ai i numrit një të Këshillit Kombëtar, ndërsa pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2025 ku demokratët humbën për të tretin mandat radhazi, doli kundër Lulzim Bashës, në atë kohë kryetar i PD-së, duke kërkuar dorëheqjen e tij.