Aktualitet

Homazhet për ish-presidentin Nishani, Berisha: “Shteti humbi një nga shtetarët më dinjitozë!”

Në sallën “Skënderbeu” në Presidencë po zhvillohen homazhe në nderim të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë më 28 maj, ndërsa prej javësh ishte shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital në Gjermani. Atyre u janë bashkuar politikanë, miq, të afërm e qytetarë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha:

Shteti humbi një nga shtetarët më dinjitoz në tërë historinë e tij. Shoqëria shqiptare dhe shqiptarët humbën një nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Në dekada, Bujar Nishani ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloje rënie, përkundrazi erdhi gjithnjë në forcim!

Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është se shpirtërisht është i gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithëve atyre që patin fatin e madh ta njohin si mik e si bashkëpunëtor, po ashtu të familjes që pati një bashkëshort e një prind të tillë, si dhe të mbarë shqiptarëve.

Ndaj, duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë me familjen Nishani dhe miqtë e tij, iu shpreh ngushëllimet atyre e shqiptarëve që humbën ish-kreun e shteti, që në atë detyrë i dha dinjitet të madh institucionit të Presidentit. I paharruar do mbetet kujtimi i tij!

Trupi i pajetë i ish-presidentit Bujar Nishani mbërriti sot në atdhe. Makina me arkëmortin kaloi në pikën kufitare të Morinës, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni të improvizuar, forcat policore kosovare të kufirit  nderuan ish-presidentin.

Nesër në orarin 10:00-12.00 do të zhvillohen homazhet zyrtare sipas ceremonialit e protokollit të shtetit. Pas orës 12.00, arkëmorti me trupin e ish-presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor do të lëvizë në këmbë deri te Ura e Lanës e më tej do të niset drejt varrezave të Sharrës ku dhe zhvillohet ceremonia e varrimit.

Nishani u dërgua për kurim në Gjermani, pasi vuante nga pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga COVID-19, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë.