Aktualitet

Ndërron jetë konstitucionalisti i njohur, Kristaq Traja!

Shuhet në moshën 66-vjeçare, juristi i njohur Kristaq Traja. Ai u nda nga jeta në Francë, pas një sëmundjeje të rëndë e të pashërueshme. Traja ka qenë drejtues i grupit lidhur me diskutimet për ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Gjithashtu ka mbajtur pozicionin e gjyqtarit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si përfaqësues i Shqipërisë.

Përveçse kryetar i Këshillit Drejtues të RTVSH, shërbeu edhe si përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut. Në vitin 1978, Kristaq Traja u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Me një eksperiencë 10-vjeçare si Gjyqtar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg për periudhën 1998-2008, ka qenë një ndër akademikët më të njohur në Ballkan për të Drejtën Kushtetuese.

Karrierën si profesionist në fushën e ligjit e filloi më 1986-ën, kur për 5 vite ushtroi detyrën e specialistit në Sektorin e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Më tej, u angazhua si anëtar i Bordit të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 1991-1992 dhe ka qenë Zëvendës Ministër i Drejtësisë në vitet 1992-1993.

Në CV-në e pasur, nuk lihet pa përmendur fakti se Kristaq Traja u përfshi si anëtar i grupit të punës për hartimin e Kushtetutës të Shqipërisë në vitin 1998. Prej 27 vitesh ishte pedagog i së Drejtës Kushtetuese, në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës. Nga viti 2008 punonte edhe si Avokat, në disa studio ligjore prestigjioze në vend e është autor i disa publikimeve dhe përkthimeve në fushën e ligjit.