Aktualitet Bota

Ndërron jetë në moshën 30-vjeçare ish-Miss SHBA, Cheslie Kryst!

Ish-Missi i SHBA-së, Cheslie Kryst ka ndërruar jetë ditën e kaluar, në moshën 30-vjeçare. Kryst, e cila u kurorëzua Miss SHBA në vitin 2019, ndërroi jetë pasi u hodh nga një ndërtesë 60-katëshe në New York rreth orës 7:15 të mëngjesit sipas orës lokale, tha Departamenti i Policisë së qytetit. Në një deklaratë, familja e saj u shpreh për mediat se:

Të shkatërruar dhe me pikëllim të madh, ne ndajmë lajmin për vdekjen e Cheslie-t tonë të dashur. Drita e saj e madhe ishte ajo që frymëzoi të tjerët në mbarë botën me bukurinë dhe forcën e saj. Ajo kujdesej, donte, qeshte dhe shkëlqeu.

Kryst ishte një avokate që kërkoi të ndihmonte në reformimin e sistemit të drejtësisë në Amerikë. Ajo mori tre diploma nga dy universitete. Me origjinë nga Karolina e Veriut, Kryst ushtroi një proces gjyqësor civil për një firmë ligjore dhe punoi për të ndihmuar të burgosurit që mund të ishin dënuar padrejtësisht të merrnin dënime të reduktuara.

Kryst gjithashtu punoi si korrespondente për faqen e lajmeve argëtuese “ExtraTV”. Përveç punës në drejtësi, ajo drejtonte një blog për modën, “White Collar Glam”, për veshjet e punës për femra dhe ishte vullnetare për “Dress for Success”.

Kryst thuhet se jetonte në katin e nëntë të ndërtesës  dhe u pa për herë të fundit në një tarracë të katit të 29-të, sipas mediave. Cheslie, u kurorëzua Miss SHBA si Miss Karolina e Veriut në maj të vitit 2019. Ajo dhe tre vajza të tjera, Nia Imani Franklin (Miss Amerika), Kaliegh Garris (Miss Teen USA) dhe Zozibini Tunzi (Miss Universe), u bënë grupi i parë i femrave me ngjyrë që u kurorëzuan me çmime bukurie në të njëjtin vit.