Sport

Ndeshja me Poloninë, Reja thotë se “duhet personalitet!”

Një ditë para ndeshjes me Poloninë në “Air Albania”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, trajneri Edi Reja vuri në dukje se në fillim të shortit nuk ishte optimist, por tani gjërat kanë ndryshuar.

Në fillim të shortit nuk isha shumë optimist, pasi kundërshtarët janë shumë të fortë, megjithatë jemi rritur shumë, pasi punuam shumë, gjatë kësaj kohe. Ideja ishte të impononim lojën tonë. Tani jemi gati të përballemi me çdo lloj kundërshtari deri në fund e të luajmë shanset tona. Për këtë, dua t’u bëj komplimente të gjithë lojtarëve, që janë vënë në dispozicion dhe kanë punuar për t’u rritur e përmirësuar.

A e imagjinon Reja Shqipërinë në Kupën e Botës?

Frika për të mos ia dalë është problemi me të cilin përballemi dhe që na ndalon të ëndërrojmë. Luajmë në shtëpi dhe duhet të jemi sa më të qetë, pasi kjo është rruga e vetme për të synuar fitoren. Duhet të tregojmë personalitet në ndeshje të tilla, por edhe fati është pjesë e rëndësishme e në Poloni ne nuk e patëm. Një episod penalltie na dëmtoi jo pak në atë transfertë. Duhet të luajmë të qetë e të bëjmë sa më pak gabime, për të arritur rezultatin që duam.

Reja ende nuk e ka vendosur formacionin, por Broja mund të luajë që nga minuta e parë e kjo sipas tij, “nuk është ndonjë çudi”.

Unë e kam aktivizuar edhe nga minuta e parë si ndaj Kazakistanit apo në San Marino, por nuk ka pasur të njëjtin rendiment si në ndeshjet kur ka ardhur nga pankina. Kam shfrytëzuar faktin që në minutat e fundit, kundërshtarët janë disi më të lodhur dhe ai me karakteristikat që ka, mund t’i vërë në vështirësi e mbi të gjitha të shënojë gola, pasi e ka këtë aftësi. Nëse do ta dija me siguri që do të shënonte, do ta hidhja në fushë edhe në tre minutat e fundit.

Trajneri i kuqezinjve nënvizon se do të luhet deri në fund:

U kemi dhënë një ëndërr shqiptarëve dhe është shumë e bukur, ndaj duhet të besojmë. Nuk është asgjë rastësore, pasi kemi merituar këtë arritje e do të luajmë deri në fund për ta bërë realitet këtë ëndërr. Nesër kemi mungesa të rëndësishme, por nuk qahem kurrë, pasi kemi krijuar një grup shumë të mirë.

Reja e ka të qartë se kur vjen puna te Lewandowski, ai nuk markohet, pasi është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim.

Mënyra e vetme për t’i ulur rrezikshmërinë, është ta bësh të furnizohet sa më pak, pra t’i ndërpresësh rrugët e pasimit, pasi vetëm kur nuk ka top në këmbë, nuk është kërcënues. E njoh shumë mirë trajnerin dhe e di që ata do të luajnë në sulm e me agresivitet. Edhe për polakët ndeshja ka shumë rëndësi, ndaj besoj se do të jetë një takim i nivelit shumë të lartë.