Aktualitet

Ndryshon udhëzimi: Si procedohet për bilancin vjetor neto te fotovoltaikët!

Pas miratimit të ligjit të ri “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, ka ndryshime në aktet nënligjore që e bëjnë të zbatueshëm. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë reflektoi këto ndryshime në udhëzimin nr.3 të datës 20 qershor 2019.

Ky udhëzim ka të bëjë me procedurën e lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme, për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli.

Ndryshimet që kanë hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ndër të tjera parashikojnë dhe mënyrën si do të procedohet për bilancin vjetor neto.

Këto ndryshime prekin të gjithë ato subjekte që kanë instaluar impiante me kapacitet deri në 500 kwp dhe energjinë e përdorin për nevojat e tyre. Pika e parë e udhëzimit në fjalë përcakton saktësisht klientin që është vetëprodhues dhe bazën ligjore duke zëvendësuar ligjin e vitit 2017 me ligjin e vitit 2023.

Ishte (Pika1)

Një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 kWp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli në përputhje me nenin 15, të ligjit nr. 7/2017.

Bëhet (Pika 1)

Një klient privat, publik apo një klient familjar mund  të  instalojë  një  kapacitet  total  deri  në  500 kwp  për  vetëprodhimin  e  energjisë  elektrike  nga dielli ose era, për të mbuluar një pjesë apo të gjithë energjinë  që  nevojitet  për  nevojat e  tij  dhe  të injektojë energjinë e tepërt të prodhuar në rrjetin e shpërndarjes, në përputhje me parashikimet e nenit 30,të  ligjit  nr.  24/2023,“Për nxitjen e përdorimit  të   energjisë   nga   burimet   e   rinovueshme   të energjisë’

Një ndër ndryshimet më të rëndësishëm të ligjit ishte ai i bilancit vjetor neto, kërkuar vazhdimisht nga subjektet pasi kjo mënyrë rrit leverdishmërinë e instalimit të një impianti. Ndyshimi i bërë në pikën 3 saktëson se si do të bëhet tashmë faturimi neto vjetor, reflekton detyrën që kalon nga OSHEE tek Furnizuesi i Shërbimit Universal pas ndarjes së kompanisë dhe llogaritjen e faturave mujore për të nxjerrë gjendjen debitore ose kreditore të klientit.

Ishte (Pika 3)

Injektimi në rrjet do të lejohet për kategorinë e konsumatorëve të përcaktuar sipas pikës 1 të këtij udhëzimi, të cilët mund të prodhojnë një pjesë ose të gjithë energjinë elektrike që konsumojnë nga impianti PV diellore. Bilanci dhe faturimi neto, të bëhen nga OSHEE-ja në baza mujore për secilën pikë matjeje të autorizuar të klientit. Teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor, do t’i shitet Furnizuesit të Shërbimit Universal pas miratimit të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar për vetëkonsum nga kjo kategori konsumatorësh..

Bëhet (Pika 3)

Injektimi në rrjet do të lejohet për kategorinë e konsumatorëve  të përcaktuar, sipas  pikës 1 të këtij udhëzimi, të cilët mund të prodhojnë një pjesë ose të  gjithë  energjinë  elektrike  që  konsumojnë  nga impianti  fotovoltaik  ose  eolik.  Bilanci  neto  dhe faturimi   të   bëhen   nga   Furnizuesi   i   Shërbimit Universal  sh.a.  në  baza  vjetore  për  secilën  pikë matjeje   të   autorizuar   të   klientit.   Furnizuesi   i Shërbimit  Universal  sh.a.  të  marrë  masa  që  të reflektojë  në  faturën  mujore  gjendjen  kumulative kreditore ose debitore të klientit./Monitor