Bota

“Në Janar, SHBA do të vendosin sanksione ndaj 50 individëve nga Ballkani/ Ja çfarë paralajmëron Instituti për Siguri Ndërkombëtare me seli në Beograd

Instituti për Siguri Ndërkombëtare me seli në Beograd përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “twitter” ka paralajmëruar se gjatë janarit të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione ndaj disa politikanëve e biznesmenëve nga Serbia, “Republika Srpska”, Mali i Zi dhe Kosova.

“Në janar, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj individëve nga Ballkani. Sanksionet do të vendosen ndaj një pjese të komunitetit politik dhe të biznesit në Serbi, Republika Srpska, Mal i Zi dhe Kosovë”, thuhet në shkrimin e këtij Instituti.

Lidhur me këtë, “Danas” ka kontaktuar drejtuesin e këtij instituti, Orhan Dragas, i cili ka thënë se janë rreth 50 njerëz të targetuar për t’u sanksionuar.

Ai ka thënë se kjo ka të bëjë vetëm më individët dhe nuk janë sanksione kundër shteteve.

“Këto janë sanksione të drejtuara ndaj individëve që synojnë të japin rezultate. Në bullgari u provua se janë shumë efektive”, ka thënë ai.

Dragas ka deklaruar gjithashtu se paralajmërimi për sanksione është në linjë me atë që emisari Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë së fundi. Escobar gjatë vizitës së tij në rajon kishte thënë se sanksionet kundër politikanëve janë një opsion realist.