Aktualitet

Në mars, kursimet rriten vetëm në valutë nga bizneset/Bien depozitat në lekë!

Muaji i kaluar solli një rikuperim të kursimeve në valutë në sistemin bankar, pas tkurrjes së shkurtit, ndërsa depozitat në lekë kanë vijuar tendencën rënëse, për të dytin muaj radhazi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në shkurt, stoku i depozitave në euro arriti në 7.38 miliardë euro me një rritje prej 1.5% ose 112 milion euro më shumë, duke rikuperuar pothuajse plotësisht rënien e shkurtit.

Në shkurt, depozitat u tkurrën me 128 milion euro, që ishte rënia më e fortë e kursimeve në monedhën e përbashkët, të paktën që nga viti 2016 kur Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat e detajuara në valutë. Në mars, rritja erdhi nga “Korporata jofinanciare private” me 9.8% ose 108 milion euro më shumë. Po kjo kategori kishte shkaktuar dhe tkurrjen e kursimeve muajin e mëparshëm.

Me bazë vjetore, depozitat në valutë janë rritur me 15.3% (mars 2024/mars 2023) ose 983 milion euro më shumë.

Vijojnë të bien kursimet në lekë

Ndryshe nga depozitat në valutë që u rikuperuan në mars, kursimet e individëve kanë vijuar rënien. Stoku i kursimeve në monedhën vendase ishte rreth 588 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.6% (3.8 miliardë lekë më pak) në krahasim me muajin e mëparshëm.

Ndikimin e ka dhënë rënia e kursimeve të korporatave jofinanciare publike e jo publike. Muajt e mëparshëm, kursimet e bizneseve kishin njohur një rritje të fortë.

Depozitat e individëve në lekë dhanë sinjale të dobëta rritjeje. Gjithsesi, kthimet më të favorshme në letrat me vlerë të qeverisë duket se po i orientojnë individët drejt tregut të bonove e obligacioneve.

Me bazë vjetore (mars 2024/mars 2023), kursimet në lekë janë rritur me 2.5% ose 31 miliardë lekë më shumë.

I raportuar në lekë, stoku total i kursimeve në vend arriti në 1.3 trilion në mars, me një tkurrje prej 1.1% në krahasim me muajin e mëparshëm. 45% e kursimeve janë në monedhën vendase dhe 55% në valutë, kryesisht euro./Monitor