Aktualitet

Depozitat në valutë ranë ndjeshëm në shkurt/Dobët edhe kursimet në lekë!

Muaji shkurt nuk ishte i mbarë për kursimet e depozituara në sistemin bankar, si në monedhën vendase ashtu dhe atë në valutë. Ecuria negative është orientuar më shumë nga rënia e depozitave të bizneseve, por edhe individët nuk kanë arritur të shtojnë paratë e hequra mënjanë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në shkurt, stoku i depozitave në euro arriti në 7.27 miliardë, me një rënie prej 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm ose 128 milion euro më pak. Kjo është tkurrja më e fortë e kursimeve në monedhën e përbashkët, të paktën që nga viti 2016 kur Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat e detajuara në valutë. Tendenca është krejt e kundërt në krahasim me muajt e mëparshëm, kur shtesa mujore ishte relativisht e lartë.

Në shkurt, tkurrja erdhi nga rënia e depozitave të bizneseve (Korporata jofinanciare private), që u reduktuan me 157 milion euro ose 12.5% më pak. Por, edhe individët nuk kanë arritur të rrisin depozitat pa afat, ndërsa ato me afat janë zgjeruar me ritme shumë më të ngadalta në krahasim me muajt e mëparshëm. Për shkak të ecurisë së mirë deri në fund të 2023-shit, depozitat në valutë janë rritur me 13.6% me bazë vjetore (shkurt 2024/shkurt 2023), ose 871 milion euro më shumë.

Bien dhe kursimet në lekë

Edhe depozitat në valutë kanë shfaqur shenja ngadalësimi. Stoku i kursimeve në monedhën vendase ishte rreth 592 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.25% (1.5 miliardë lekë më pak) në krahasim me muajin e mëparshëm. Ashtu si me valutën, ndikimin e dha rënia e kursimeve të bizneseve, që u tkurrën me 6% ose 6.4 miliardë lekë më pak. Muajt e mëparshëm, kursimet e bizneseve kishin njohur një rritje të fortë.

Edhe depozitat e individëve në lekë nuk dhanë shenja rritjeje, pavarësisht se cikli i interesave është në rritje. Kthimet më të favorshme në letrat me vlerë të qeverisë duket se po i orientojnë individët drejt tregut të bonove e obligacioneve.

Me bazë vjetore, (shkurt 2024/shkurt 2023), kursimet në lekë janë rritur me 7.4%, ose 41 miliardë lekë më shumë.

Të raportuara në lekë, stoku total i kursimeve në vend arriti në 1.3 trilion lekë në shkurt, me një tkurrje prej 0.4% në krahasim me muajin e mëparshëm. 45% e kursimeve janë në monedhën vendase dhe 55% në valutë, kryesisht euro./Monitor