Health & Beauty Lifestyle

Në një botë ku po ndodhin vetëm gjëra të këqija, këto janë këshillat se si të mbroni shëndetin tuaj mendor!

Dita Botërore e Shëndetit Mendor shënohet më 10 tetor dhe është fushata më e rëndësishme vjetore globale që synon ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit mendor. Ajo shënohet në të gjitha kontinentet dhe pothuajse në të gjitha vendet përmes ngjarjeve dhe programeve lokale, rajonale dhe kombëtare. Kohët e fundit gjëra aspak të mira po ndodhin rreth nesh. Që në momentin që do të hapni celularin dhe do të hyni në rrjetet sociale, do të bombardoheni me lajme që do t’ju bëjnë të ndiheni të pafuqishëm për të ndihmuar të tjerët.

Ndalimi i informimit nuk është zgjidhje. Ju mund të mbroni veten, pa injoruar atë që po ndodh në botë.  Merrni kohë dhe njihni saktësisht se çfarë ndjeni. Pavarësisht se sa larg ndodh, tragjedia është tragjedi. “Lejojini vetes të përjetoni ndjenjat. Është normale”,-tha psikologia Ashley Olivine për Popsugar.

Është e pritshme të ndiejmë trishtim kur mësojmë për ngjarje të tilla. Merrni kohë për të përpunuar çdo emocion. Mos i mbani të gjitha brenda, sepse gjithçka që do të bëni është të stresoheni më shumë.

Kini kujdes nga i merrni informacionet tuaja. Rrjetet tuaja sociale janë me siguri plot me faqe lajmesh që mbulojnë të njëjtat ngjarje. Zgjidhni ato që mbajnë qëndrimin më neutral dhe janë të certifikuar. Jepini vetes një afat të caktuar kohor kur lexoni lajmet.

Meqenëse e shihni se është shkatërruese për ju, përpiquni të mos shpenzoni të gjithë kohën tuaj në përditësimin me informacione. Vendosni një kufi kohor që në fillim dhe përpara se të shkoni në një faqe ose të ndizni televizorin, sigurohuni që të jeni në një gjendje të mirë mendore. Të flasësh është shumë e rëndësishme. Qoftë miqtë apo një profesionist i shëndetit mendor, mjafton të keni dikë me të cilin të ndani barrën. Nuk duhet të përballeni me vështirësitë vetëm.