Bota

Në tremujorin e parë ekonomia e Kinës rritet më shpejt se sa pritej…

Ekonomia e Kinës pati një fillim viti më të fortë se sa pritej, edhe pse kriza në sektorin e pronave u thellua.

Sipas të dhënave zyrtare, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u zgjerua me 5.3% në tre muajt e parë të 2024, krahasuar me një vit më parë.

Kjo shifër i tejkaloi pritshmëritë që rritja ekonomike të ishte më e ngadaltë, në 4.6%, tremujorin e parë.

Muajin e kaluar, Pekini vendosi një objektiv ambicioz të rritjes vjetore, prej “rreth 5%”.

Të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave (NBS), treguan gjithashtu se rritja e shitjeve me pakicë në tremujorin e parë, një matës kryesor i besimit të konsumatorit të Kinës, ra në 3.1%.

“Ju nuk mund të keni rritje përgjithmonë, kështu që ne, me të vërtetë duhet të shohim përfshirjen e shpenzimeve të familjeve, nëse Kina dëshiron të arrijë objektivin e rritjes, prej rreth 5%,” tha Harry Murphy Cruise nga Moody’s Analytics.

Në të njëjtën periudhë, investimet në prona ranë me 9.5%, duke theksuar sfidat me të cilat përballen firmat kineze të pasurive të paluajtshme.

Shifrat erdhën, ndërsa Kina vazhdon të luftojë me një krizë të vazhdueshme të tregut të pronave. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sektori përbën rreth 20% të ekonomisë.

Të dhënat më të fundit, treguan gjithashtu se çmimet e shtëpive të reja, ranë me ritmin më të shpejtë për më shumë se tetë vjet në mars.

Kriza e industrisë së pasurive të paluajtshme, është theksuar në janar, kur gjigandi i pronave Evergrande, u urdhërua të likuidonte asetet, nga një gjykatë në Hong Kong.

Zhvilluesit rivalë Country Garden dhe Shimao, janë goditur gjithashtu me një peticion mbylljeje në qytet.

Javën e kaluar, agjencia e vlerësimit të kredisë Fitch, uli perspektivën e saj për Kinën, duke përmendur rreziqet në rritje për financat e vendit, pasi ajo përballet me sfida ekonomike.

Në mbledhjen vjetore të drejtuesve të Kinës në mars, zyrtarët thanë se ekonomia u rrit me 5.2% në 2023.

Për dekada të tëra, ekonomia kineze u zgjerua me një ritëm shumë të lartë, me shifrat zyrtare që tregojnë se PBB-ja e saj, u rrit me një mesatare prej afër 10% në vit. —BBC–