Health & Beauty

Nëse fëmijët tuaj gërhasin duhet të dini disa gjëra!

Studimi i kryer në Britani të Madhe në më shumë se 11.000 fëmijë ka treguar që ata të cilët gërhasin ose kanë vështirësi të tjera me frymëmarrjen gjatë gjumit, janë të ekspozuar ndaj rrezikut më të lartë nga zhvillimi i çrregullimeve në sjellje. Çrregullimet në sjellje që mund të shfaqen janë çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitetin (ADHD), problemet emocionale si ankthi, depresioni dhe agresiviteti.

Fëmijët me çrregullime më të mëdha të gjumit për shkak të vështirësive me frymëmarrje kanë pasur gati dy herë rrezik më të lartë për çrregullime në sjellje se sa fëmijët që kanë marrë frymë në mënyrë normale. Supozohet që fëmijët për shkak të kualitetit të dobët të gjumit me kalimin e kohës bëhen shumë të lodhur, çka mund t’i kontribuojë zhvillimit të nervozizmit, hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes.

Po ashtu duhet të theksohet që çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit mund të ndikojnë edhe në furnizimin e trurit me oksigjen dhe grumbullimin e dyoksidit të karbonit e cila te fëmijët mund të shkaktojë pasoja afatgjate, pasi për fëmijët kjo është periudhë kritike në zhvillimin e trurit. Prandaj prindërit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje gjumit të fëmijës dhe nëse vërejnë vështirësi të caktuara duhet të këshillohen me mjekun.