Aktualitet Politikë

Nesër në mesnatë përfundon afati, PD ende pa vendim për kandidatët e 14 Majit!

Ndërsa nesër përfundon afati i depozitimit në KQZ të emrave të kandidatëve për zgjedhjet vendore të 14 Majit, në Partinë Demokratike vazhdojnë diskutimet. Përfundoi pa një vendim përfundimtar një mbledhje nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt e që zgjati deri në orët e para të mëngjesit.

Sipas njoftimeve, Kryesia dhe Kolegji i Kryetarëve nuk diskutuan dhe aq për emrat e kandidatëve, por u fokusuan te format e te kriteret e kandidimit të kësaj partie opozitare, që ditë më parë u regjistrua si subjekt zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Burime pranë PD-së bënë të ditur se vendimet përfundimtare mund të arrihen sot kur mbledhja të rinisë pasdite.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi përsëriti angazhimin që deri në fund të vazhdojë përpjekjet për të siguruar bashkëpunimin mbi kandidatura të përbashkëta, referuar atyre që mbështet Berisha. Por, ish-kryeministri refuzon bashkëpunimin me Alibeajn, si dhe bashkimin e kandidatëve në një listë të përbashkët.

Përçarjet janë në rritje që kur Berisha i shpallur “non grata” nga SHBA-të “për korrupsion domethënës” dhe “cënim të demokracisë” u përjashtua nga grupi parlamentar demokrat me vendim të Lulzim Bashës, kur ishte kryetar i PD-së.

Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga grupimi i mbështetësve të Berishës, në KQZ pritet të dërgohen nga Partia e Lirisë, me të cilën kanë marrëveshje bashkëpunimi.

Për mungesë dokumentash, Berisha dhe ata që e mbështesin nuk u regjistruan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për vendoret e 14 Majit. Për këtë arsye, kandidatët e tyre për kryetarë të bashkive e këshilltarë bashkiakë pritet të përfshihen në lista të përbashkëta me Partinë e Lirisë të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në një tjetër mbledhje të opozitarëve, ish-kryeministri Berisha ka bërë të ditur edhe një skemë ndarjeje të listës së kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë. Kjo mes demokratëve, Partisë së Lirisë, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Demokristiane, “duke ndarë bashkë riskun e avantazhet”.