Aktualitet Politikë

Nesër seancë plenare, PD mbledh sërish Grupin Parlamentar!

Partia Demokratike do të mbledhë mbrëmjen e sotme Grupin Parlamentar. Mësohet  se mbledhja do të fillojë në orën 19:00, në selinë blu.

Në fokus do të jetë seanca e nesërme plenare, e cila pritet të miratojë qeverinë e re dhe programin qeverisës “Rama3”.

“Sot, në orën 19:00 në seli do të zhvillojmë mbledhje grupi lidhur me seancën nesër, seancë me tepër rëndësi”, thuhet në njoftimin nga selia blu.

Kujtojmë se më herët 30 anëtarë të Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike depozituan sot një peticion për thirrjen e një referendumi pas përjashtimit të Sali Berishes nga grupi parlamentar.   Duke e konsideruar këtë veprim në shkelje të plotë të statutit, si dhe për rrezikun që mbart në përçarjen e thellë të PD-së, kërkojnë që ky veprim t’i nënshtrohet me domosdoshmëri një referendumi në anëtarësi, siç thonë, si e vetmja rrugë për të ruajtur unitetin.

Vetë Sali Berisha e konsideron “nul” vendimin e kryetarit Basha. Ky vendim iu kërkua nga Shtetet e Bashkuara që e kanë shpallur “non grata” ish-liderin historik të PD-së. Berisha e konsideron veten pjesë të grupit demokrat e ka paralajmëruar se nga nesër do të zbresë në terren duke nisur takimet me anëtarët e PD-së në Tiranë. Ai synon të mbledhë firmat për të kërkuar referendum në lidhje me vendimin individual të Lulzim Bashës e më pas do të shkojë në Shkodër.