Aktualitet

Nga 1 qershori do të tatohen profesionet e lira!

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paralajmëroi përshkallëzimin e gjobave për fshehjen e pagës dhe mosdeklarimin e punonjësve. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, lidhur me ecurinë e punës së Njësisë Speciale Antiinformalitet, Ibrahimaj tha se nga 1 qershori do të paraqitet ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat ndërsa do të ketë dyfishim të gjobave për evazionin fiskal, fshehjen e pagës e mosdeklarimin e punonjësve. Në takim ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama.

Eshtë e rëndësishme që ky model, pra analiza e riskut, përqendrimi në disa tatimpagues të cilët janë më me risk, të vazhdojë dhe të jetë pjesë integrale e punës së administratës tatimore, e cila do të vijojë me këtë qasje duke targetuar sektorë të ndryshëm dy herë në vit, me qëllim që ky reagim që ka qenë në tatimpaguesit e targetuar të jetë për të gjithë popullatën e tatimpaguesve.

Nga data 1 qershor ne do të paraqesim ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, i cili do të targetojë pikërisht profesionalet e lira. Do të targetojë ato profesione që sot individët çelin biznese, ia sheshin bizneseve të tjera si shërbime duke eliminuar pagesën e taksave. Kjo, nga hyrja në fuqi e ligjit që do të prezantohet së shpejti, nuk do të jetë më e mundur pasi të gjitha profesionet e lira do të duhet të paguajnë tatimin në bazë të këtij ligji.

Kemi marrë masa dhe kemi analizuar aty ku duhet të ndërhyjmë me përshkallëzimin e gjobave, qoftë për evazionin, qoftë për mos deklarimin e pagave.

Më konkretisht, ne do të bëjmë disa ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe për të gjitha shkeljet administrative apo ato shkelje që përbëjnë evazion tatimor, nëse më parë kishte një rivlerësim apo një gjobë të barabartë me 100% të totalit të rivlerësimit, tashmë do të shkojmë në 200%. Do të dyfishojmë penalitetet për mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehjen e pagës për të gjithë bizneset e mëdha. Gjithashtu, do të dyfishojmë dhe masën për mosdeklarimin e pagës së saktë nga punonjësi.

Sa i përket legjislacionit për inspektimin në punë, ministrja tha se do të kalojmë automatikisht në penalitete.

Këto penalitete i përshkallëzojmë, jo për arsye sepse duam të vendosim penalitete dhe duam të gjobisim bizneset, por ne duam të rrisim ndërgjegjësimin, duam të bëjmë të mundur që bizneset të mos kryejnë më evazion në drejtim të mos deklarimit të pagave. Kjo është një masë për të nxitur akoma më shumë vetëdeklarimin, që në bashkëpunim me gjithë komunikimin që Administrata Tatimore dhe Inspektoriati i Punës do të kryejnë në muajt në vijim, urojmë që të japë rezultatet e punës që njësia antiinformalitet ka dhënë deri tani.