Art & Kulturë Celebrities Live From Tirana

Nga panairi i librit e deri te leximi i kohëve të sotme, Anna Shkreli zbulon gjithçka në TAR!

Sot, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ishte botuesja e njohur Anna Shkreli, për të na folur në lidhje me leximin. Përse duhet të lexojmë? Anna shprehet se:

Jemi duke përgatitur librat për panairin që do të nisë në datën 17 Nëntor. Pas një viti mungesë kemi një rikthim që na entuziazmon. Kam vënë re që të gjithë botuesit në Shqipëri kanë një ofertë shumë të mirë për këtë panair libri.

Jemi në një botë që po fillon të lexohet dita ditës më pak, si mendon ajo për këtë?

Nuk jam dakord me faktin që ne lexojmë gjithmonë e më pak. Në thelb për të lexuar, lexojmë gjithmonë e më shumë por, pyetja është çfarë lexojmë. Komunikimi nuk ka qenë asnjëherë kaq imediat, kaq efektiv dhe komunikimi është kthyer nga verbal në të shkruar. Në një farë mënyre ne lexojmë por çështja është se çfarë lexojmë. Mua përshembull më pëlqen të dëgjoj audiobook-s në makinë dhe podcaste.

Për herë të parë, shtëpia botuese “Berk” do të jetë pjesë e panairit. Për më tepër Shkreli tregon se:

Unë kam bërë panairin e librit edhe më përpara, e nisa me Kadarenë dhe pastaj me botimet Çabej. Ajo që është interesante, është që ke mundësi reale të takosh lexuesin tënd dhe në një vend si Shqipëria ku nuk kemi shifra të sakta është i vetmi moment që duke folur me lexuesin arrin të kuptosh. Është edhe si testim tregu, një marrëdhënie me audiencën dhe është një moment fantastik.

Çfarë presin lexuesit nga “Berk”?

Kemi tre libra, një për fëmijë i cili është pjesë e këtij panairi i quajtur “Mace buface”, gjthashtu dhe botimin e ri të Dostojevskit që është një vëllim dysh i “Krokodilit dhe Kumarxhiut”. Këto janë përkthime të Nazim Saitit, i cili ka qenë i burgosur politik dhe ka përkthyer nga vitet ’75 deri në vitet ‘78. Këto janë ato që quhen përkthimet e burgut dhe asokohe ka qenë e ndaluar të përktheje Dostojevskin.

Çfarë ka për të thënë Anna në lidhje me tranzicionin e saj?

Çdo gjë që kam bërë më ka shërbyer në mënyrë maksimale dhe thjesht vjen një moment që njeriu ka dëshirë të jetë plotësisht ai që duhet të jetë. Me “Berk”-un jam drejt kësaj rruge. Për mua, sukses është të jem e lumtur, të bëj një gjumë të mirë, të jem e lumtur edhe kur jam vetëm, pra nuk kam nevojë për dikë që të jem e lumtur. Suksesi real në jetë është vetëpërmbushja jote.

Nëse do të jepte Anna një përkufizim se pse duhet të lexojmë, ajo do të thoshte se:

Duhet të lexojmë sepse leximi të bën një qytetar më të lirë dhe më të mirë. Ka një luftë ndër shekuj ndërmjet pushteteve dhe atyre që duan t’i marrin pushtetin. Të qenit të vetëdijshëm, të lexuarit të ndihmon të jeni më reagues ndaj situatave. E besoj që lexues të mirë janë edhe qytetarë të mirë.

Ka çështje të jetës sonë që nuk diskutohen në libra. Anna thotë se:

Mendoj që të shkruash për probleme që janë faktike duhet guxim dhe kurajo sidomos në vendet si Shqipëria. Mungesa e distancës historike është arsyeja që kemi më pak tema që janë aktuale dhe që duan një përballje. Për fëmijët është shumë i rëndësishëm edukimi me librin që në moshë të vogël sepse duke u përballur me eksperiencat e personazheve ose heronjve të tyre, arrijnë të nxisin empatinë dhe vendosin veten e vet në vendin e tjetrit.

Një titull interesant të panairit që botohet këtë vit nga botimet “Berk”?

Ne kemi një libër tjetër të jashtëzakonshëm që quhet “Identitete pluskuse”, libri është dygjuhësh sepse kemi dashur ta hapim horizontin e lexuesit, jo vetëm për shqiptar por edhe për të huaj. Libri përshkon historinë, arkitekturën e Tiranës nga themelimi si qytet deri tek shpërfytyrimi që i ndodhi pas viteve 2000. Është një lloj sociologjie e arkitektures e ardhur me pasazhe letrare dhe figura historike. Ky libër na bën ta kuptojmë më shumë qytetin, ta duam qytetin dhe gjithashtu të kuptojmë se çfarë i kemi bërë.

Në mbyllje të intervistës, Anna thotë këto fjalë:

Në momentin që lexon ke një marrëdhënie më personale me librin. Zëri është një vektor i drejtpërdrejtë, është proces personal, si një bashkëbisedim me një mik.