2023-shi u mbyll për t’u pasuar me një kohë bilancesh. Një vit që kaloi e do të shënohet për disa ngjarje, edhe të bujshme e që Top Albania Radio i rikujton të përmbledhura.
Çfarë ndodhi në Shqipëri më 2023-shin? Momentet kryesore
Fjala e lirë dhe siguria publike morën një goditje të rëndë vitin e kaluar kur në orët e para të mëngjesit të 27 marsit 2023, godina e televizionit kombëtar Top Channel në Mëzez u godit nga një sulm terrorist me armë zjarri, si pasojë e të cilit humbi jetën një nga rojet e sigurisë, i ndjeri Pal Kola. Për këtë ngjarje tronditëse, ndër më të trishtat e vitit 2023, ende nuk ka autorë edhe pse kanë kaluar 9 muaj. Drejtues të lartë të shtetit, politikanë, selitë e huaja diplomatike në vendin tonë, njëzëri dënuan sulmin duke kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të tij.
Muaji mars nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, vrasjen e tre grave dhe plagosjes së dy të tjerave në zonën e Kamzës nga i dyshuari Dan Hutra. Kjo çoi në një protestë para Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, me moton “Boll më!”. Në Itali, në maj dhe shtator u vranë dy shqiptare, një vajzë nga dora e babait të saj që ishte nisur për të ekzekutuar bashkëshorten e një 35-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, e ekzekutuar nga ish-bashkëshorti, i cili më pas i dha fund jetës duke u vetëvrarë. Tronditëse ishte edhe vrasja në Prishtinë e Liridona Ademajt, po ashtu nënë e dy fëmijëve. Liridona u ekzekutua më 29 nëntor teksa ndodhej në makinë me dy djemtë e mitur e bashkëshortin Naim Murseli, ky i fundit, i arrestuar si i dyshuar në krimin që fillimisht e raportoi si grabitje e armatosur. Ende nuk ka një motiv, duke bërë që për arsyet e ngjarjes të nxiten shumë spekulime.
Nga kronika e zezë te politika. Pas dorëheqjes së marsit 2022, në fund të korrikut, Lulzim Basha u rikthye në krye të PD-së me mbi 16 mijë vota të demokratëve në një garë ku përballë kishte rivalin Gjergji Hani e që thelloi përçarjen në PD pasi grupi i Gazment Bardhit nuk e njohu këtë proces. Në fillim të shtatorit, grupimet Bardhi-Berisha u bënë bashkë. Më tej, rinisën debatet për kreun e grupit parlamentar.
Ende nuk është thënë fjala e fundit për çështjen e vulës së Partisë Demokratike. Në një vendim të komunikuar rreth mesditës së 27 dhjetorit, Gjykata e Lartë vendosi që çështja të rikthehet në Apel për t’u shqyrtuar nga një tjetër trupë gjyqësore.
Sipas Kolegjit Civil, “me vendimin e 3 marsit, Gjykata e Apelit Tiranë, lejoi shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”. Kolegji konstaton se Apeli nuk i dha përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje, për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim.
Më 2023-shin lamë pas një vit zgjedhor pasi më 14 maj u zhvilluan votimet lokale që u fituan bindshëm nga Partia Socialiste. Socialistët morën kontrollin e 53 qyteteve, ndërsa “Bashkë Fitojmë” të vetëm 7 prej tyre. Ky koalicion përbëhej nga demokratët e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, Partia e Lirisë e Ilir Metës, demokristianët e Nard Ndokës dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules.
Në Himarë, kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri fitoi me pak vota diferencë përballë rivalit socialist. Por, ende nuk ka mundur të bëjë betimin si kryebashkiak. Ai u arrestua më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve, nën akuzën e shitblerjes së votave. Betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës e kërkon edhe Greqia, por drejtësia ia ka rrëzuar kërkesën.
Rezultateve të PS-së më 14 Maj, i shtohet edhe fakti që mes qendrave të rëndësishme të vendit, për herë të parë mori dhe Shkodrën, bastionin historik të demokratëve. Sa i përket Tiranës, nuk zhgënjeu Erion Veliaj, i cili fitoi bindshëm ndaj Belind Këlliçit të Bashkë Fitojmë duke siguruar një tjetër mandat në krye të bashkisë më të madhe të vendit.
Në Tiranë, zgjedhjet rezervuan një suprizë. Kandidati i “Lëvizjes Bashkë”, një formacion politik i regjistruar pak para tyre, Arlind Qorri, u rendit i treti, me një avantazh prej pak më shumë se 1 mijë votash ndaj Roland Bejkos, kandidatit të Partisë Demokratike, grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Para zgjedhjeve, Sali Berisha shprehej i sigurt në një rezultat pozitiv, por pas tyre foli për “farsë elektorale”. Sipas tij, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte në të njëjtën linjë me Berishën. Meta tha se “zgjedhjet u asgjësuan që para se të fillonin”.
Po çfarë thanë vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet e 14 majit 2023? Në gjetjet e tyre, konstatuan se u mbizotëruan nga polarizimi politik i partive dhe nuk u trajtuan çështje me rëndësi për komunitetet vendore. Gjatë një konference shtypi në Tiranë, u shprehën se zgjedhjet vendore “ishin të mirorganizuara, konkurruese e me pjesëmarrje të partive politike kryesore”, por përveçse nga polarizimi i vazhdueshëm mes partive kryesore, procesi u karakterizua edhe nga ndarjet e thella mes opozitës. Misioni ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve vuri re se kandidatët mundën të zhvillonin fushatën lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet vendore u përmendën pak në fushatë.
Më 4 shtator, kryeministri Edi Rama paraqiti disa ndryshime në qeveri. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u zëvendësua nga Igli Hasani. Në Ministrinë e Financave, në vend të Delina Ibrahimajt erdhi Ervin Mete, ndërsa Ibrahimaj vijon të jetë pjesë e qeverisë, si ministre Shteti për Sipërmarrjen, duke zëvendësuar Edona Bilalin. Ndërkaq, Arbjan Maznikut iu caktua posti i ministrit të Shtetit për Pushtetin Lokal.
Nga ekzekutivi u largua ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e zëvendësuar nga Ogerta Manastirliu. Në vend të saj, në krye të dikasterit të Shëndetësisë u emërua Albana Koçiu. Në ekzekutiv, u rikthye Anila Denaj, si ministre e Bujqësisë në vend të Frida Krifcës.
Në korrik, Komisioni Europian njoftoi vendimin për të ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi, të realizuara në kuadër të Programit IPARD II. Sipas delegacionit të BE-së në Tiranë, ky vendim u mor “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimit “OLAF), pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”.
Ndryshimet në qeveri, Rama i bëri publike në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku ndër të tjera foli për bumin turistik të 2023-shit e angazhimit për t’i dhënë mbështetje të pakushtëzuar institucioneve të Drejtësisë. Më herët në korrik, dhuna nga djali dhe familjarë të deputetit socialist, Rrahman Rraja ndaj dy shtetasve në Fushë-Krujë çuan në ndryshimin e ministrit të Brendshëm. Bledi Çuçi u zëvendësua nga Taulant Balla dhe tani mban postin e shefit të grupit parlamentar socialist. Edhe deputeti socialist, Rraja dorëzoi mandatin e njoftoi tërheqjen nga jeta politike.
Më 8 dhjetor, Partia Socialiste mblodhi Kongresin, me fokus prezantimin e transformimit të kësaj force politike, si dhe synimet për një mandat të katërt. Punimet ishin ndarë në 6 panele kushtuar temave të ndryshme.
Veprimet e SPAK-ut ishin kryefjalë e 2023-shit. Në prill, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorisë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen Gërdeci. SPAK-u rihapi çështjen ndaj Mediut, pas kërkesës së familjes Durda, që humbi një fëmijë nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, ku më 15 mars 2008 mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Ish-ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”.
Më 20 korrik, SPAK-u i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i larguar nga Shqipëria që më 7 korrik, pak para se Prokuroria e Posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit për arrestimin e tij dhe që u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.
Sipas Prokurorisë, Ahmetaj dyshohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim apo fshehje pasurie. Hetimet zbuluan lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve të cilët fituan kontratat për inceneratorët e Elbasanit, Fierit e Tiranës, si dhe favorizme që iu ofroi kur ishte ministër i Ekonomisë dhe më pas i Financave, në këmbim të shpërblimeve në forma të ndryshme. Po për çështjen e inceneratorëve, në burg janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.
2023-shi shënoi telashe me drejtësinë për disa kryebashkiakë e ish-pushtetarë vendorë. Kryetari socialist i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, u arrestuan në mars për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh dhe formularësh”. Më 28 dhjetor, Alla u dënua me tre vjet burg, por që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul në 2 vjet heqje lirie.
Muajin e kaluar, SPAK-u njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes për të cilën është marrë i pandehur ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe 10 persona. Dako u arrestua në qershor, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste.
Po në qershor, u arrestua nën dyshimet për korrupsion, kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, pak pasi dha dorëheqjen për shkak të publikimit të një video-skandali seksual në zyrën e tij me një grua, e cila kërkonte të merrte fonde nga bashkia. Në Kukës pati sërish zgjedhje që u fituan nga socialisti Albert Halilaj.
Në muajin tetor, Gjykata e Posaçme dënoi ish-kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, me 1 vit e 6 muaj burgim për shpërdorim detyre. Dënimi përfshin edhe heqjen e të drejtës për 5 vjet, për të ushtruar funksione publike.
Në nëntor, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka dërguar për gjykim dosjen ndaj kryetarit socialist të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
Pak javë më parë, SPAK-u kërkoi gjykimin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari për falsifikim. Nga hetimet rezultoi se në Formularin e Vetëdeklarimit nuk ka përfshirë një vendim të drejtësisë greke në vitin 1999, me masën riedukuese të qortimit për shkeljen: “Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse”.
Ndër të tjera, falë ndihmës së francezëve në zbërthimin e aplikacionit SKY, u mundësua arrestimi i disa zyrtarëve të Policisë së Shtetit e pjesëtarëve të grupeve kriminale.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u vu nën hetim për procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirugjikale. Beqaj dyshohet për “Shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Në nëntor, Gjykata e Posaçme vendosi se duhet të paraqitet një herë në javë pranë një oficeri të Policisë Gjyqësore, si dhe nuk mund të largohet nga vendi. Për këtë çështje, në gusht u arrestuan biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Më 13 nëntor, Gjykata e Posaçme dënoi me 4 vjet burg Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e cila në qershor u arrestua për korrupsion, me një tjetër zyrtare e dy përfaqësues të një kompanie private. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i reduktohet në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.
Më 30 dhjetor, GJKKO-ja konfirmoi masën e kërkuar nga SPAK-u, duke caktuar “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore për ish-kryeministrin Sali Berisha, në hetim për privatizimin e klubit sportiv Partizani. Në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të, në të njëjtën banesë. SPAK-u e shërbimet e Policisë Gjyqësore duhet të kontrollojnë mbikëqyrjen e zbatimit të masës “Arrest në shtëpi”. Vendimi do të ankimohet në Apel nga avokatët e Berishës.
Po si u arrit deri këtu?
Më 21 dhjetor, me 75 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë autorizoi SPAK-un për arrestimin e deputetit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit të Klubit Sportiv Partizani. Ky zhvillim pasoi refuzimin e Berishës për të respektuar masën e mëparshme “Detyrim për paraqitje”, duke e cilësuar “antikushtetuese”. Autorizimi i Kuvendit iu dërgua SPAK-ut, që Gjykatës së Posaçme i kërkoi “Arrest shtëpie” për ish-kryeministrin.
Vendimin e Kuvendit, në të fundit seancë plenare të vitit 2023 që zgjati pak minuta dhe u shënua nga kaosi, Berisha e quajti “akt të paligjshëm e antikushtetues, sulm politik që kryeministri Rama ka ndërmarrë ndaj tij dhe opozitës”. Paralelisht me seancën, jashtë selisë së Kuvendit mbahej një protestë e mbështetësve të opozitës.
Para votimit të Kuvendit, më 20 dhjetor ishte Gjykata Kushtetuese që vendosi të mos kalonte për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e një grupi deputetësh lidhur me masat e sigurisë ndaj Berishës, si dhe interpretimin e nenit të Kushtetutës, ku flitet për arrestimin e deputetit.
Gjykata tha se kërkesa nuk ishte formalisht e rregullt, se grupi i deputetëve nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën në çështje si konflikti i kompetencave dhe se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.
Ish-kryeministri Berisha është person në hetim në çështjen e procedurave të privatizimit të klubit Partizani në Tiranë. Dyshohet se me akte te ndryshme, favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku janë ndërtuar pallate.
Pas arrestimit në Aeroportin e Rinasit, më 21 tetor, nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash, fillimisht ndaj Malltezit u vendos “Arrest me burg”, por më pas Apeli i Posaçëm e ndryshoi masën e sigurisë në “Arrest shtëpie”. Këtë ndryshim, SPAK-u e ka kundërshtuar në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, në fund të nëntorit 2023, atij iu rrëzua kërkesa për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e bllokuara.
Me “Detyrim për paraqitje” e “Moslargim nga vendi” është edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, me të cilin Malltezi ishte ortak në ndërtimin e kompleksit të pallateve mbi truallin e ish-klubit Partizani.
Në vitin që sapo u mbyll mori jetë edhe aksioni opozitar për të mos lejuar punime normale të Kuvendit, pa iu plotësuar kërkesat lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, sipas demokratëve “për korrupsionin qeveritar”. Kjo çoi në seanca të shkurtra plenare, të zhvilluara mes tymueseve, zhurmave e deri përplasjeve mes deputetëve, si dhe në blindimin e mjediseve të Parlamentit nga Garda. Për shkak të bllokimeve, shumë mbledhje të komisioneve u zhvilluan online.
Përjashtim nuk bëri as seanca e 20 nëntorit kur me shumicë votash, socialistët miratuan Buxhetin e Shtetit për 2024-ën. Kryeministri Edi Rama reagoi përmes platformës X, duke theksuar se opozitarët kanë prekur fundin, si dhe i krahasoi me një anije që po mbytet.
Shefi i qeverisë deklaroi se “nuk do të negociojnë me non grata dhe zëdhënësit e tyre”. Sipas tij, komisionet hetimore që këmbëngulin opozitarët, mund të ndërtohen sipas një ligji të ri, të cilin e ka kërkuar Gjykata Kushtetuese.
Përballë pamundësisë për një aktivitet normal të punimeve të Kuvendit, maxhoranca mori masa dhe më 14 dhjetor, në një tjetër seancë kaotike e gjithashtu të shkurtër, miratoi disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit. Aty parashikohet përjashtimi i deputetëve bllokues deri në dy muaj nga veprimtaria parlamentare. Opozita paralajmëroi se këto ndryshime do t’i ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.
Duke mbetur te Gjykata Kushtetuese, ky institucion pezulloi ligjin e miratuar në korrik për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë, që i kushtëzon marrjen e diplomës me punësimin e detyruar brenda vendit për disa vite. Pezullimi zgjat derisa të shqyrtohet në themel. Nëse studentët nuk pranojnë, duhet të paguajnë tarifat e parashikuara nga universiteti për ndjekjen e studimeve. Qeveria tha se kjo është përpjekje për të frenuar largimin e mjekëve të rinj.
Më 27 dhjetor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit për shfuqizimin e vendimit të qeverisë për Hartën e Re Gjyqësore. Ndërhyrjen e shtetit e quajti proporcionale dhe theksoi se nuk cënohet proporcionaliteti, siç pretendonin kërkuesit.
Nga Kushtetuesja priten të tjera vendime të rëndësishme, të tilla si marrëveshja Meloni-Rama, që brenda pranverës, Italia të ngrejë në Shqipëri dy qendra për pritjen e emigrantëve që zbarkojnë në brigjet e Italisë. Akordi parashikon ngritjen në territorin shqiptar të dy qendrave për pritjen e emigrantëve që kapen në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane. Të dy qendrat, njëra në portin e Shëngjinit që të merren të dhënat personale e të bëhet verifikimi i parë i emigrantëve dhe tjetra në Gjadër, ku duhet të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për azilin, parashikohet të jenë nën juridiksionin italian. Çdo shpenzim merret përsipër nga pala italiane.
Më 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë, deri në vendimin përfundimtar. Më 16 dhjetor, kryeministri Rama ishte në vendin fqinj, ku tha se “kjo marrëveshje, nuk është anti-kushtetuese”. Ndërsa nga Gjykata e Lartë, qeverisë britanike iu rrëzuan planet për të çuar azil-kërkuesit në Ruandë dhe mediat angleze i bënë jehonë marrëveshjes së emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Më 15 dhjetor, një krim i rëndë u shënua në Burgun e Peqinit ku i dënuari Sokol Mjacaj, vrau të burgosurin përjetë Arben Lleshi, si dhe plagosi një tjetër. Sipas Prokurorisë, Mjacaj e kishte pistoletën në qeli prej rreth tre javësh. Drejtori i burgut, Kamber Hoxha si dhe 11 punonjës të tjerë u ndaluan me urdhër të Prokurorisë, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Mes të tjera zhvillimeve të rëndësishme të 2023-shit, kujtojmë se në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Malit të Zi e Shqipërisë, të zhvilluar më 27 shkurt në Podgoricë, u arritën dhjetë marrëveshje, përfshirë ajo për ndërtimin e urës mbi lumin Buna për të lidhur Ulqinin me Velipojën. Projekti do të kushtojë rreth 20 milion euro.
Qeveria e shpalli Park Kombëtar, Vjosën, lumin e fundit të egër në Europë. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së ekzekutivit, më 13 mars dhe u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cënon lumin, përfshirë hidrocentralet që kanë shkaktuar debat në madh në Shqipëri, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.
Në javën e parë të prillit, qeveria miratoi skemën e re të pagave në sektorin publik, e parashikuar të zbatohet në dy faza, brenda këtij viti. Kryeministri Rama njoftoi rritje të menjëhershme për mësuesit, ushtarakët e strukturat e policisë, si dhe për mjekët dhe infermierët. Administrata publike pritet të ketë një rritje nga 22 deri 61 përqind brenda 2024-ës.
Më 18 shtator, Instituti i Statistikave nisi Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, me përfshirjen e mbi 7 mijë e 500 anketuesve, mbikëqyrësve dhe kontrollorëve të trajnuar nga Instituti i Statistikave. Ata regjistruan të dhëna mbi popullsinë, tipare demografike, sociale dhe ekonomike të detajuara në rrafsh gjeografik, që kanë të bëjnë me strehimin, arsimin, shëndetësinë e punësimin.
Takimi vjetor i Procesit të Berlinit u mbajt në mes të tetorit në Tiranë, me pjesëmarrjen e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian e të disa prej vendeve anëtare të përfshira në këtë proces.
Mbështetja e Brukselit për rajonin, sërish u shpreh përmes një Plani të ri rritjeje për Ballkanin, që u paraqit nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në fokus, edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, për të cilat u theksua nevoja e vazhdimit të dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes palëve.
Në Tiranë ishte edhe Emmanuel Macron, në të parën vizitë të një presidenti francez që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama, paralajmëroi Kosovën se nuk po mban premtimet, përmes të cilave përfitoi liberalizimin e vizave në zonën Schengen duke nisur nga sot. Po ashtu, kërkoi që presidenti serb Vuçiç të dënonte me vendosmëri ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë.
Po në Tiranë, Macron i dha titullin e Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.
Me një ceremoni në Presidencë, në dhjetor, Dritan Hoxha, themeluesi i Top Media-s u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Motivacioni: Në shenjë vlerësimi për vizionarin e zhvillimit të medias elektronike në Shqipëri, për idetë e tij të guximshme, të cilat ndërtuan një media të re që çoi në transformimin e konceptit për radion dhe televizionin dhe mirënjohje për sipërmarrjen që krijoi një të mirë publike në shërbim të shqiptarëve brenda e jashtë vendit, duke kontribuar për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe. Në emrin e saj dhe të familjes, drejtuesja e Top Media-s, Lori Hoxha falënderoi presidentin Begaj për nderin dhe vlerësimin që iu bë babait të saj dhe themeluesit të Top Media-s, Dritan Hoxha.
Për 2023-shin, Tirana u shpall Qyteti Evropian i Sportit. Vitin që lamë pas, kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi “të jashtëzakonshëm”, me një bilanc “tejet pozitiv”. Krahas pritjes së mbi 10 milion turistëve, shumica e të cilëve vizitoi kryeqytetin, Veliaj përmendi edhe jehonën që mediat botërore i bënë transformimit të Piramidës.
Ngjarjet kryesore nga Rajoni
2023-shi hyri i qetë për veriun e Kosovës ku në ditët e para, KFOR-i hoqi barrikadat e fundit. Ato ishin vendosur që në dhjetor 2022 nga serbët, në shenjë proteste për arrestimin e Dejan Pantiçit, i dyshuar për një sulm ndaj zyrave të Komisionit Zgjedhor.
Në fillim të shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të qartë se asociacioni njëetnik i komunave serbe, nuk është i mundshëm, si dhe vendosi kushte për formimin e tij. Por, presidenti serb Aleksander Vuçiç ironizoi e foli për përrallë. Edhe ndërkombëtarët ngulmuan për formimin e asociacionit, duke e konsideruar “kritik për të ardhmen e Kosovës”. Kurti reagoi dhe iu kërkoi të mos bënin presion.
Në fund të shkurtit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano konfirmoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë, miratuan propozimin e Unionit për normalizim të marrëdhënieve. Kurti dhe Vuçiç e bënë këtë në takimin e 27 shkurtit. Ky ishte vetëm fillimi. Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ata u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Akordi me 11 nene, nuk e detyronte Serbinë ta njihte Kosovën, por nga të dy vendet, kërkonte që t’i pranonin dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat.
Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që për Prishtinën zyrtare, mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Por, nuk zgjati shumë dhe më 24 prill, një ditë pas zgjedhjeve lokale në katër komuna të veriut të Kosovës, të bojkotuara masivisht nga serbët e ku në krye të tyre u zgjodhën shqiptarë, Vuçiç sulmoi ashpër zyrtarët perëndimorë. Pasi i quajti gënjeshtarë dhe mashtrues, tha se “pakica serbe në Kosovë” nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.
Në fund të majit, tensionet u rindezën në veri e të forta madje. Serbët u përplasën me policinë që shoqëroi kryekomunarët e rinj shqiptarë të hynin forcërisht në zyrat e tre prej katër komunave të fituara, konkretisht Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut që do të drejtonin. Për të shuar përplasjet ndërhyri edhe KFOR-i. Mes të plagosurve pati edhe ushtarë të këtij misioni paqeruajtës.
Më 26 qershor, Gjykata e Kralevës vendosi për lirimin e tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga policia e Serbisë me 14 qershor, në kufirin me Kosovën. Serbët i akuzuan për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve e lëndëve shpërthyese”. Prishtina foli për rrëmbim të tyre në thellësi të territorit të Kosovës.
Bashkimi Europian paraqiti disa kërkesa për uljen e tensioneve e në korrik, Qeveria e Kosovës njoftoi se ra dakord të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën, të paktën për momentin.
Më 24 shtator, Kosova e veriut do të tronditej nga ngjarja në fshatin Banjskë, ku serbë të armatosur sulmuan policinë e vranë efektivin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit me forcat e rendit të Kosovës gjetën vdekjen edhe tre prej pjesëtarëve të grupit që sulmoi. Beogradi zyrtar hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se me këtë sulm, Serbia tentoi aneksimin e veriut të Kosovës.
Përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiç, i cili më pas dha dorëheqjen si nënkryetar i Listës Serbe. Radoiçiç nuk pranoi të ketë vepruar i mbështetur nga Beogradi. Ai u ndalua për 48 orë nga autoritetet në Serbi, por më 4 tetor u lirua dhe i ndalohet hyrja në Kosovë.
Po në rajon, por në Malin e Zi, më 31 tetor, parlamenti zgjodhi qeverinë e re të kryeministrit Millojko Spajiç. Ezekutivi mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiçit, Lëvizja Europa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundmi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe dy parti shqiptare. Kabineti ka 19 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. 19 deputetë opozitarë votuan kundër zgjedhjes së qeverisë, një abstenoi dhe pesë munguan në seancë.
Lëvizja Europa Tani fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Këto ishin votimet e para parlamentare në 30 vjetët e fundit, në të cilat nuk mori pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të 2023-shit.
Demokracia e Re fitoi bindshëm një tjetër mandat 4-vjeçar në zgjedhjet e 25 qershorit në Greqi. Partia konservatore e Kyriakos Mitsotakis-it siguroi më shumë se 40% të votave, ndërsa forca kryesore opozitare e majtë, Syriza, pësoi rënie të mbështetjes, duke marrë 18%. Pas humbjes në zgjedhje, Alexis Tsipras dha dorëheqje si kryetar i partisë Syriza.
Më herët gjatë vitit, në Greqi kishte dhënë dorëheqje ministri i Transportit, Kostas Karamanlis. Në fund të shkurtit, një tren me pasagjerë u përplas me një tren mallrash në veri të Greqisë, duke lënë të vdekur 57 persona, ndërsa mbi 100 u plagosën në qytetin Tempe. 4 shqiptarë ishin mes viktimave.
Partia Përparimtare Serbe e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, fitoi zgjedhjet e 17 dhjetorit që u shënuan nga raportime për parregullsi të mëdha gjatë fushatës së tensionuar, si dhe në ditën e votimit. Amerika kërkoi hetime, ndërsa opozita nisi protestat që mbrëmjen e 24 dhjetorit degjeneruan në akte dhune në qendër të Beogradit. Pati arrestime e policë të lënduar.
Më 4 dhjetor 2023, drejtuesit e partive politike në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen këtë vit, respektivisht më 24 prill e 8 maj. 4 ditë më vonë, më 8 dhjetor, kryesia e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi që nga 28 janari 2024, Talat Xhaferi të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike, praktikë që vijon prej vitit 2016, ndërsa ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Më 28 dhjetor, u hapën korridoret ajrore Kosovë-Shqipëri. Marrëveshja për të shfrytëzuar korridorin ajror të vendit tonë, u arrit në vitin 2020, por nuk ishte zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që duhej të miratoheshin nga Tirana dhe KFOR-i.
Lajme nga Bota
Tërmeti 7.8 ballë i 6 shkurtit 2023 që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë e veriut duke shkaktuar mbi 50 mijë viktima do të mbahet mend gjatë për pamjet shokuese. Qindra mijëra ndërtesa u shkatërruan. Një ekip shqiptar udhëtoi drejt Turqisë për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Shqipëria akordoi 1 milion euro ndihma.
E ndërsa 2023-shi nuk shënoi asnjë zhvillim në dhënien fund të luftës ruse në Ukrainë, që vijon prej rreth dy vitesh tashmë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë këtë vit. Por, për t’u shënuar në vitin që lamë pas ishte lëshimi në mars i një urdhër-arresti për presidentin rus, Putin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Shefi i Kremlinit akuzohet si përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, çka përbën krim lufte. Për Moskën, vendimi nuk është i pranueshëm e nuk vlen.
Shpërfillës, Putin i cili këtë vit do të garojë si i pavarur në presidencialet e 17 marsit vijoi me axhendën e tij. Ai zhvilloi vizita të befta në Krimenë që Rusia ia aneksoi Ukrainës, rreth 10 vjet më parë. Po ashtu shkoi në Mariupol, po të kontrolluar nga rusët ndonëse në territor ukrainas.
Finlanda u bë anëtarja më e re, e 31-ta e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit në Bruksel më 4 prill, në atë që Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg e quajti “ditë historike”. Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës u nxit nga lufta ruse në Ukrainë, ndërsa ndan një kufi me Rusinë.
Finlanda ia doli, por në rrugë të mbarë është edhe Suedia, që në fund të dhjetorit u gjend një hap më pranë anëtarësimit në NATO. Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i Parlamentit turk i dha dritën jeshile protokollit për anëtarësimin e këtij vendi nordik, në aleancën ushtarake perëndimore.
Që në korrik, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan hoqi dorë nga kundërshtitë për anëtarësimin e Suedisë gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s. Por, pavarësisht kësaj iu deshën disa muaj për ta dërguar projektligjin në parlament për ratifikim, si dhe disa javë të tjera që komisioni parlamentar të jepte miratimin.
Në Francë pati protesta të shumta kundër reformës së pensioneve. Kryesisht, ato përfshinë kryeqytetin Paris. Por, presidenti Macron nuk u tërhoq dhe në prill firmosi ligjin që rrit moshën e pensionit në 64 vjeç.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 6 maji ishte “dita e madhe” pasi Mbreti Charles III u kurorëzua zyrtarisht si sovran në Westminster, në një ceremoni që zgjati rreth dy orë. Më herët, në një autobiografi “përvëluese” me titullin “Spare”, djali i tij i dytë, Harry nuk e kurseu familjen mbretërore.
Në maj, G7 zhvilloi punimet në Japoni, në Parkun Memorial të Paqes në Hiroshima. Presidenti amerikan Biden garantoi se do ta çlirojnë botën nga armët bërthamore, përgjithmonë!
Recep Tayyip Erdogan fitoi në balotazhin e 28 majit, duke u rizgjedhur në postin e presidentit të Turqisë, me mbi 52% të votave. Ai mposhti rivalin Kemal Kilicdaroglu. Erdogan tha se populli turk i dha përgjegjësinë për të qeverisur në pesë vjetët e ardhshme.
Në maj, Pakistani tërhoqi vëmendje në titujt botërorë për arrestimin e ish-kryeministrit Imran Khan, i akuzuar për fshehje pasurie. Mbështetësit e tij protestuan dhe policia ndërhyri për t’i shpërndarë me gaz lotsjellës e pompa uji.
Në qershor, historia e nëndetëses Titan bëri që bota të mbante frymën. Çka nisi si eksplorim në thellësi përfundoi në tragjedi, me vdekjen e 5 personave për shkak të një “shpërthimi katastrofik”. Titani ishte zhytur për të vëzhguar rrënojat e Titanikut.
Pasojat e ndryshimeve të klimës, vera e 2023-shit do të mbahet mend për temperaturat e larta rekord e zjarret në pyje, përfshirë Greqinë fqinje, si edhe në Kanada e Shtetet e Bashkura. Pati jetë të humbura, krahas dëmeve të shumta materiale e pasojave në cilësinë e ajrit. Pjesë të mëdha të Europës u përballën edhe me përmbytje, ndërsa korriku u konfirmua si muaji më i nxehtë.
Për t’iu rikthyer Rusisë, më 24 qershor vendi i udhëhequr nga Vladimir Putin pushtoi kryetitujt e mediave në mbarë botën për zhvillimet që lëkundën autoritetin e presidentit. Forcat e grupit mercenar Vagner, të drejtuara nga Yevgeny Prigozhin ndërmorën një rebelim e pasi morën kontrollin e qytetit rus Rostov marshuan drejt Moskës. Në emër të të ashtuquajturit “Marsh për drejtësi” tha se do të largonte komandatët e korruptuar ushtarakë, që i fajësonte për humbjet në Ukrainë. Në momentet e fundit u arrit një marrëveshje. Prigozhin do të largohej në Bjellorusi e nuk do të përballej me akuza. Dy muaj më pas, më 24 gusht, Prigozhin vdiq në një aksident ajror në rajonin rus Tver.
Nga Rusia në Shtetet e Bashkuara, ku në fillim të gushtit, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi ish-presidentin Donald Trump për konspiracion në mashtrim. Kjo përmes pengimit të Kongresit Amerikan për të certifikuar fitoren e rivalit Biden në presidencialet e nëntorit 2020.Trump hodhi poshtë akuzat e foli për persekutim të kundërshtarëve politikë. Ndaj tij rëndojnë edhe të tjera akuza përfshirë nxjerrjen e dokumenteve të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë. Për këtë vit, synon të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale.
Më 19 shtator 2023, forcat azere nisën një operacion për të rimarrë kontrollin e Nagorno-Karbakhut, territorit të banuar me shumicë armene. Të zemëruar, armenët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Pashinyan. Separatistët armenë pranuan një armëpushim. Mbi 100 mijë armenë u larguan pas sulmit.
Në mesin e shtatorit, stuhia Daniel goditi Libinë, duke shkaktuar dëme serioze e përmbytje të paprecedenta. Në Derna, qytet me 100 mijë banorë, u shkatërruan dy diga. Pati mijëra viktima.
Në shtator dhe tetor, mbi 5 mijë vetë vdiqën në dy tërmete të fuqishëm që goditën Marokun e Afganistanin.
Si çdo tetor u ndanë çmimet Nobel dhe për 2023-shin ai për Paqe iu akordua aktivistes iraniane për të drejtat e grave, Narges Mohammadi, e dënuar me 12 vjet burg. Vendimin e mori Komiteti norvegjez i Nobelit që i bëri thirrje Iranit ta lirojë Mohammadin, e njohur edhe për fushatën, për shfuqizimin e dënimit me vdekje.
E po në tetor, bota do të bëhej dëshmitare e një lufte të re, asaj Izrael-Hamas. Më 7 tetor, grupi radikal palestinez nisi një sulm me raketa ndaj jugut të Izraelit duke vrarë mbi 1.200 vetë e rrëmbeu 240 të tjerë. Kryeministri Netanyahu tha se ky ishte 11 shtatori i Izraelit dhe u zotua për të vazhduar luftën derisa të shkatërrohet Hamasi. Ndërkohë, Rripi i Gazës është shkatërruar nga bombardimet e ofensiva tokësore izraelite. Raportohet për mbi 20 mijë palestinezë të vrarë, shumica gra dhe fëmijë. Komuniteti ndërkombëtar kërkon mbrojtjen e civilëve.
Luftime të ashpra shpërthyen edhe në Sudan mes dy gjeneralëve në rivalitet për qëndrimin në pushtet. Vlerësohet se nga 9 mijë deri në 10 mijë vetë kanë humbur jetën në kryeqytetin Kartum e në rajonin e Darfurit, ndërsa të plagosurit mund të jenë 6 mijë deri në 12 mijë. Mbi 5 milion persona u zhvendosën brenda Sudanit dhe mbi 1.5 milion u larguan nga Sudani.
Në fund të tetorit, qindra mijëra afganë që jetonin në Pakistan u detyruan të largohen pasi skadoi afati që iu kërkonte largimin nga territori pakistanez. Sipas Islamabadit, rreth 1.7 milion persona pa dokumente duhej të largoheshin deri më 1 nëntor ose do të arrestoheshin e dëboheshin. Grupet për të drejtat e njeriut e kritikuan vendimin.
Në mesin e nëntorit, presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu kinez, Xi Jinping zhvilluan të parin takim ballë për ballë në një vit, duke u zotuar që të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara. Dy udhëheqësit folën për marrëveshje modeste për të luftuar fentanilin dhe rivendosur komunikimet ushtarake. Por, ende ka dallime të thella lidhur me konkurrencën ekonomike dhe kërcënimet e sigurisë globale.
Muajin e kaluar, Bashkimi Europian ra dakord për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin me Ukrainën. Presidenti Zelensky e përshëndeti vendimin, ndërsa Kievi vijon të kërkojë ndihma për luftën me rusët. Këtu përfshihen dhe fondet e premtuara amerikane, por për to nuk bie dakord Kongresi.
Ish-zyrtari i lartë i FBI-së për kundërzbulimin, Charles McGonigal u dënua më 14 dhjetor nga gjykata e Manhatanit me mbi katër vjet burg për shkelje të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi kishte punuar për një oligark rus që kërkonte të dhëna ndaj një rivali të pasur. Emri i tij u bë i njohur edhe në Shqipëri, pasi është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington, për fshehjen e të paktën 225 mijë dollarëve, që dyshohet se i ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar kur McGonigal punonte për FBI-në.
Në takimin e nivelit të lartë për klimën COP28, përfaqësues nga rreth 200 vende ranë dakord më 13 dhjetor që të reduktojnë konsumin global të lëndëve djegëse fosile, për të shmangur pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike, duke sinjalizuar fundin e ardhshëm të përdorimit të naftës. Marrëveshja u arrit në Dubai pas dy javësh negociatash të vështira.
Më 21 dhjetor u vranë 14 persona në një masakër me armë në një universitet të Pragës nga studenti David Kozak, i cili më pas kreu vetëvrasje.
Sport
Me plot gojë mund të thuhet se 2023-shi ishte viti i fatit për futbollin shqiptar. Për herë të dytë në histori, Shqipëria arriti sukses të padiskutueshëm duke u kualifikuar në Kampionatin Europian. Në grupin me Republikën Çeke, Poloninë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe, Kombëtarja Kuq e Zi doli në krye në fazën kualifikuese e tani e pret Gjermania ku nga data 14 qershor e deri më 14 korrik, zhvillohet Europiani i shumëpritur. Shqipërinë e pret i ashtuquajturi “grup ferri” me Spanjën, Italinë e Kroacinë.
Në vitin 2023 u zhvillua dhe Botërori i Futbollit për Femra, që më 20 gusht u fitua nga Spanja. Për spanjollet ky ishte triumf historik. Në finale fituan kundër Anglisë me rezultatin 1-0. Golin e vetëm në takimin që u zhvillua në “Olympic Stadium” të Sydneyt në Australi e shënoi mbrojtësja e Real Madridit, Olga Carmona Garcia, në minutën e 29-të.
Në futbollin botëror, argjentinasi Lionel Messi fitoi Topin e Artë për të 8-ën herë në karrierë, një arritje historike në një kohë rekord. Këtë nuk e ka arritur asnjë lojtar tjetër deri tani, çka e bën Messi-n futbollistin më të mirë në historinë të futbollit.
Po në vitin 2023, Manchester City arriti që për herë të parë në histori të klubit të fitojë “Tripletën”. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, futi në xhep fitoret e UEFA Champions League-ës, Premier Ligës dhe FA Cup-it, duke dominuar futbollin europian.
Më 21 dhjetor, Gjykata e Drejtësisë e BE-së vendosi në favor të Superligës, që apeloi monopolin UEFA dhe FIFA. Sipas vendimit, ka abuzim me pushtetin dominues nga këto organe e konsiderohen të paligjshme rregullat e tyre për krjimin e çdo projekti për një kompeticion të ri, duke ia dhënë këtë të drejtë Superligës.
2023-shi erdhi me lajme të mira për Kosovën, që fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030 – “Prishtina 2030”. Kështu vendosi Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, në Heraklion të Greqisë.
Në Formula 1, piloti Max Verstappen i Red Bullit ishte më i shpejti i sezonit të kaluar duke fituar titullin e tretë radhazi.
Personalitetet që iu dhamë lamtumirën më 2023-shin
Ishin disa njerëz të njohur të letërsisë, artit, sportit, politikës në Shqipëri dhe në botë të cilëve iu dhamë lamtumirën në vitin 2023. Personazhe që me veprën e tyre shënuan një epokë e që janë pjesë e plejadës së njerëzve të shquar pasi kanë lënë gjurmë.
Më 3 prill u mësua për ndarjen nga jeta të regjisorit Kristaq Mitro, i cili u shua në moshën 77-vjeçare në Austri. Kristaq Mitro, “Artist i Merituar”, një nga regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, la gjurmë në historinë e filmit tonë. Për vite të tëra ka qenë edhe pedagog në Akademinë e Arteve.
Më 2023-shin humbëm dhe regjisorët Anastas Nika, në qershor e Vladimir Prifti në muajin nëntor. Prifti mbylli sytë në moshën 81-vjeçare, por shënoi përjetësinë me filma të suksesshëm, mes tyre “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë” e “Flutura në kabinën time”.
Brenda vetëm dy javëve, Shqipëria humbi dy figura të ndritura e të kompletuara të komedisë, teatrit dhe kinematografisë që na dhuruan personazhe të paharrueshëm. Të shumtë i dhanë lamtumurën Charlie Chaplinit shqiptar Zef Deda e Sokratit të skenës, Mirush Kabashi. Vdekjet e tyre të parakohshme lanë një boshllëk të madh, por, arti që bënë i shpërbleu me përjetësinë e roleve të interpretuara mjeshtërisht.
Më 10 shtator, një tjetër aktor shqiptar do të ndahej nga kjo jetë, Lutfi Hoxha. Ishte 89-vjeç, por pjesën më të madhe të viteve mbi supe e kaloi në skenë, si një nga protagonistët themelues të teatrit profesionist të Durrësit dhe kolos i roleve dytësore të kinemasë shqiptare.
Mes personazheve që mbyllën sytë në vitin 2023, janë edhe intelektualët, shqiptarë e ndërkombëtarë.
Në qershor, iu dha lamtumira shkrimtarit të njohur Naum Prifti, fitues i shumë çmimeve për veprat e tij letrare, si dhe i vetmi autor për të cilin u tha se ka parë një prej tyre të vënë nga të gjitha trupat teatrore profesioniste të Shqipërisë. Naum Prifti la pas vëllime me tregime, romane, skenarë, ese.
Publicisti Nebil Çika, ish-kreu i të përndjekurve politikë ndërroi jetë në muajin prill, në moshën 58-vjeçare. Nebil Çika i përkiste një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale nga Borshi i Bregut të Detit. I përndjekur familjarisht gjatë regjimit komunist, ka qenë gazetar që prej fillimit të viteve ‘90-të.
Në mars, media i dha lamtumirën gazetarit të njohur veteran, Milto Baka. Në karrierën e Bakës përfshihen reportazhe, artikuj, telereportazhe e dokumentarë, si dhe bashkëpunime të ndryshme me shtypin e shkruar dhe atë periodik kombëtar shqiptar.
Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv “Ditari” të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit. Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme.
Në dhjetor u shua në moshën 81-vjeç shkrimtari, poeti dhe pedagogu elbasanas Musa Vyshka, njëherazi themelues i gazetës “Fjala e lirë”, i vlerësuar me titullin “Nderi i qarkut të Elbasanit”.
Në botën e sportit, nuk do të harrohet ajo që ndodhi në fushë në nëntor kur zemra e ganezit Raphael Dwamena pushoi së rrahuri. Sulmuesi i Egnatias pësoi një tjetër atak kardiak. 28-vjeçari kishte probleme me zemrën, por kjo nuk e ndali e zgjodhi të mos tërhiqet nga futbolli, sporti që e deshi aq shumë sa sakrifikoi edhe jetën.
Zemra u tregua e pabesë edhe me ish-futbollistët Anesti Vito e Veteran Topçiu. Ish-lojtari i Flamurtarit, Vito ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare pas një arresti kardiak e për të njëjtën arsye edhe Topçiu, një prej ikonave të Skënderbeut.
Në Itali ishte data 6 janar kur në vendin fqinj u lajmërua vdekja e ish-mesfushorit Gianluca Vialli, i cili humbi betejën me një sëmundje të rëndë e të pashërueshme.
Edhe anglezët humbën një prej sportistëve heronj, ish-futbollistin e njohur të Manchester United dhe Kombëtares, Sir Bobby Charlton.
Sa i përket emrave të njohur në botë, më 12 janar, Lisa Marie Presley, vajza e vetme e mbretit të rokut Elvis Presley dhe Priscilla-s u nda nga jeta. Sot prehet në Graceland pranë babait dhe djalit të saj.
Aktorja legjendare dhe fotografja e talentuar italiane, Gina Lollobrigida u shua më 16 janar në moshën 95-vjeçare.
2023-shi ishte viti në të cilin iu dha lamtumira një emri të lidhur me vitet ’60 e kthesave të forta të kohës, stilistes britanike Mary Quant. Gratë dhe vajzat, gjithnjë do t’i jenë mirënjohëse për prezantimin e minifundit.
Më 18 janar, bota e muzikës humbi David Crosby-n, pionier i muzikës folk, rock dhe psikodelike të viteve 1960.
Në maj erdhi lajmi i pabesueshëm, mbretëresha e Rock’N Roll-it, Tina Turner nuk jeton më. Guximtarja Tina, për jetën e së cilës janë bërë edhe filma ndërtoi një karrierë solide, duke u ringritur me sukses pas ndarjes nga bashkëshorti artist Ike Turner.
Në korrik u nda nga jeta Sinead O’Connor, zëri i mrekullueshëm i Nothing Compares 2 U, ndërsa italianë dhe shqiptarë që u rritën me këngët e tij, u trishtuan nga lajmi i vdekjes së Toto Cutugno-s, më 22 gusht.
Në fund të tetorit, si një rrufe në qiell të hapur erdhi njoftimi për ndarjen nga jeta të aktor të njohur Matthew Perry, i famshmi Chandler Bing nga seriali gjithashtu shumë i famshëm, Friends.
Programi televiziv italian i formatit talk show, Maurizio Costanzo Show, shumë i njohur edhe në Shqipëri humbi ideatorin e drejtuesin, Maurizio Costanzo. Bashkëshorti i zonjës së televizionit italian, Maria De Filippi, i cili i kishte mbijetuar një atentati mafioz, mbylli sytë më 24 shkurt në moshën 84-vjeçare. Intelektual i vërtetë, me ndikim edhe në komunikimin social e politik të Italisë.
Në moshën mbi 90-vjeçare na lanë edhe dy shkrimtarë, amerikani Cormac McCarthy e çeko-francezi, Milan Kundera.
Më 12 qershor ndërroi jetë nga leuçemia, Silvio Berlusconi. Ish-kryeministri italian, i njohur edhe si politikan, sipërmarrës e manjat i mediave ishte 86-vjeç.
Henry Kissinger, emri më i njohur i diplomacisë amerikane dhe fitues i Nobelit të Paqes ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare. I vullnetshëm në politikë dhe tejet i rezervuar për jetën personale, Kissinger është shprehur kohë më parë se e sheh veten si një hero kauboj që largohet i vetëm.
Në dhjetor, mbylli sytë një tjetër emër i njohur, Jacques Delors. Ish-presidenti i Komisionit Europian, “babai” i euros dhe personaliteti i së majtës franceze, vdiq në moshën 98-vjeçare.
2023-shi u mbyll dhe imagjinojmë e shpresojmë më të mirën për 2024-ën, vitin që sapo ka hyrë e në të cilin priten vendime për çështje të mbetura pezull, nga i Kushtetueses për marrëveshjen e emigrantëve Itali-Shqipëri apo padia e studentëve të Mjekësisë. Eshtë nga Gjykata Kushtetuese ku politika do të kërkojë një arbitër edhe për të tjera zhvillime, ndërsa edhe saga e vulës së PD-së do të vijojë të trajtohet nga drejtësia, që ende duhet të thotë fjalën e saj për një sërë hetimesh.