Health & Beauty

Zbuloni se sa herë duhen rimbushur shishet plastike të ujit!

Shishet plastike rimbushen me ujë, ngrohen, futen sërish në frigorifer e përdoret pafund. Shishet plastike përdoren edhe në furnizimin me qumësht. Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar më herët për rrezikun e ripërdorimit të shisheve të ujit, por së fundmi, studiuesit e huaj i janë rikthyer kësaj çështjeje. Tani në stinën e verës, përdorimi i shisheve plastike është tepër i lartë për shkak të nevojës për hidratim.

Këto shishe përmbajnë Bisfenol A, një substancë kimike që lëshohet në ujë dhe kthehet në strehën e shumë baktereve të rrezikshme. Në një përdorim të vetëm, këto baktere mblidhen pikërisht në grykën e shishes, aty ku vendosim buzët, ndaj mund ta imagjinoni se çfarë ndodh me ripërdorimin e këtyre shisheve. Gryka e shishes nuk pastrohet dot kurrë mjaftueshëm dhe mbetet gjithmonë e lagësht.

Kjo substancë kimike ka një ndikim tepër të rrezikshëm tek hormonet e njeriut, sidomos kur shishja ngrohet nga dielli ose ripërdorimi. Për pasojë, ekspertët rekomandojnë që nëse u jepet mundësia, të mos blini shishe uji nga ato që kemi parë rëndom të ekspozuara jashtë në diell për orë të tëra në shumë markete të vendit. Ekspertët këshillojnë përdorimin vetëm një herë të shishes plastike dhe zëvendësimin e saj me shishe qelqi.

Në këtë mënyrë, ju do të mbroni jo vetëm shëndetin tuaj por edhe ambientin ku jetojmë. Rikujtojmë, se në një zbulim befasues, shkencëtarët nga universitetet e Kolumbisë dhe Rutgers kanë hedhur dritë mbi praninë alarmante të nanoplastikës në ujin në shishe. Ky studim novator, i botuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, zbuloi shtrirjen e këtij shqetësimi të mundshëm shëndetësor, duke ngritur pyetje në lidhje me sigurinë e ujit të pijshëm në shishe.