Politikë

Nis me debate seanca e parë plenare për vitin 2022, përjashtohen nga PD rebelët “Berishistë”

Sesioni i ri parlamentar për vitin 2022 nisi sot në orën 16:00. Në seancën e parë për vitin 2022, do të marrë pjesë dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan, i cili është në vendin tonë në një vizitë zyrtare.

Seanca ka nisur me një minutë heshtje për ish- presidentin e Parlamentit të BE-së, David Sassoli, i cili ndërroi jetë shtatë ditë më parë.

Ky fillim sesioni ka nisur me mungesa, pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha përjashtoi nga posti i kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushajn, duke e zëvendësuar me Enkelejd Alibeajn.

Deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka kanë kundërshtuar vendimin për përjashtimin apo pezullimin e tyre nga grupi parlamentar i PD.

“Deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi.Rregullorja dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë lloj kufizimi në lidhje me këtë. Nuk mund të bëhet kjo përndryshe vendoset precedent i rrezikshëm”, tha Bylykbashi.

“Ju keni marrë urdhër nga kreu i regjimit që shoqata e bravave, shulave dhe llozeve të trajtohet me dashuri të veccantë nga ana juaj. Ju duhet kjo shoqatë sepse pa të jeni të mbaruar. Vetëm kështu ju fusni në thes opozitës dhe e kontrolloni pluralizimin. Askush nuk ia përcakton përkatësinë deputetëve përveccse votuesit”, tha Flamur Noka.

Shehu: Mos mbështesni vendimet që antikushtetuese! Nikolla: S’interpretoj vendimmarrjet politike të PD

Tritan Shehu, një nga të përjashtuarit nga Lulzim Basha, ka dalë kundër vendimit të grupit parlamentar të PD, duke i kërkuar kryetares së parlamentit, Lindita Nikolla që të shqyrtojnë dokumentet pasi ato që i janë dërguar janë nul.

Tritan Shehu: Mos u ktheni në mbështetëse të ndryshimeve antikushtetues, anti ligjore, që grupet parlamentare i quan pjesë e saj, unë ju këshilloj që të verifikoni, të thërrisni, të shikoni dokumentet dhe pastaj t’i paraqisnit Kuvendit, gjëra që janë deformime të realitetit dhe të qëllimshme, t’i quajmë nul ato dokumente, s’kanë asnjë vlerë dhe të ecim përpara duke u bazuar në

Lindita Nikolla: Nuk interpretojnë vendimmarrjet politike dhe grupi më i madh i opozitës është ai i PD, që ka zgjedhur që të ketë kryetar të saj Enkelejd Alibeaj që ka zgjedhur që të mos ketë këtë numër deputetësh në përbërje të saj.

E përjashtoi nga grupi, Spaho në Kuvend: Nuk më heq mua nga PD Lulzim Brava!

Deputeti Edmond Spaho ka marrë fjalën në seancë plenare dhe ka kundërshtuar vendimin e Partisë Demokratike për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

“Nuk e kisha menduar kurrë që Lulzim Brava do të na sillte kohën e diktaturës kur njerëzit përjashtohen nga Kuvendi. Pres që të më njoftojë tani edhe fshatin ku do të më internojë. Nuk më përjashton dot njëri mua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. S’më përjashton mua ai që futi kriminelë në Selinë e PD-së dhe goditi më gaz lotsjellës mbështetësit e PD. Nuk kanë të ardhme demokratët me këtë, me një njeri që ka humbur 4 palë zgjedhje dhe shitet si e ardhmja e e demokratëve. Do t’i vijë dita, mos kujtojë se e ka të largët. Qytetarët do t’i japin atë që meriton këtij njeriu”, tha Spaho.