Aktualitet

Nis trajnimi i mbi 4 mijë mësuesve me metoda efektive të mësimdhënies!

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve nisi zbatimin, fillimisht me trajnimin e tyre me metodat më efektive të mësimdhënies në Durrës, Tropojë, Elbasan e Korçë. Ky program do të shtrihet në të gjithë vendin tonë, ndërsa kryeministri Edi Rama thotë se do të trajnohen mbi 4 mijë mësues të arsimit fillor, si dhe të Gjuhës Shqipe, Matematikës e Shkencave të Natyrës. Programi parashikon që deri në vitin e ardhshëm, më shumë se 16 mijë arsimtarë të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies.

Më herët në një postim, shefi i qeverisë Rama shkroi:

Mirëmëngjesi dhe me fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, që ka nisur në Durrës, Tropojë, Korçë, Elbasan e që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, për të trajnuar mbi 4 mijë mësues në fazën e parë me metodat më efektive të mësimdhënies, ju uroj një ditë të mbarë!

Programi po mbështetet nga 7 universitete publike të njohura për ekselencën në formimin e mësuesve, duke përfshirë Universitetin e Tiranës, si edhe ato të Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës e Shkodrës. Po ashtu, nga 130 trajnerë e pedagogë. Këto institucione ofrojnë trajnime të specializuara në Matematikë, Shkencë, Gjuhë e gjithashtu për Arsimin Fillor, duke përgatitur mësuesit për sfidat e mësimdhënies në epokën digjitale.

Pedagogë dhe trajnerë të zgjedhur për ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme e të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës. Ky program synon të revolucionarizojë sistemin arsimor përmes përgatitjes së mësuesve me metodologji inovative të mësimdhënies dhe teknologji të avancuara. Ndër të tjera, ai nxit një ndryshim thelbësor në mënyrën se si mësohet dhe si mësimdhënia duhet që të praktikohet.

Në mesin e arsimtarëve është pritur me vlerësime pozitive trajnimi, për më shumë njohuri mbi metodat e reja e me efekte përmirësuese në fushën e arsimit.

Ishte mjaft i nevojshëm ky trajnim, pasi lënda e Matematikës i vlen nxënësve gjatë gjithë jetës.

Dhe ne që kemi kaq vite në punë, mësojmë me këto metoda të reja.

Si mësuese e re në arsim, unë mendoj që trajnimet janë mjaft frytdhënëse

Trajnimi ndikon në përmirësimin e arsimit fillor.