Film & Tv Health & Beauty

Një dokumentar për betejën e aktores Selma Blair me sklerozën e shumëfishtë!

Tre vjet më parë, aktorja e njohur amerikane, Selma Blair njoftoi publikisht se vuan nga skleroza e shumëfishtë. Tashmë, 49-vjeçarja është protagoniste e dokumentarit mbi jetën e saj, “Introducing, Selma Blair” i regjisores Rachel Fleit.

Me mesazhin: “mos më pyesni si do të përfundojë”, për Selmën ky është një udhëtim pranimi e përshtatjeje psikologjike me sëmundjen.

I prezantuar fillimisht në Festivalin SXSW 2021, në mars të këtij viti, dokumentari u vlerësua me Çmimin Special të Jurisë për historinë jashtëzakonisht intime që tregohet aty. Hap pas hapi, ndiqet beteja e aktores me sëmundjen, mënyra si përballon ndryshimet, problemet dhe frikën e lidhur me humbjen e mundësisë për të lëvizur. Gjithashtu frikën nga vdekja e më tej, dokumentari rrëfen gëzimet e vogla në ditët e Blair-it, e cila është nënë e një djali 10-vjeç.

Kisha bindjen se duhet të ndaja diçka. Shpresoj që jeta ime e vogël, t’i japë pak shpresë, ndonjë të qeshur apo më shumë ndërgjegjësim, dikujt që ka nevojë. Shpresoj që dokumentari të tregojë që skleroza e shumëfishtë është e ndryshme, ashtu siç janë të ndryshme pikat e forta e të dobëta të njerëzve. Emocionet e jetës e ndryshojnë edhe shërimin, për të gjithë ne.

Për realizimin e dokumentarit, për një vit, Selma u filmua nga kamerat, pasi u diagnostikua.  Ishte gushti i vitit 2018 kur pas konsultave me mjekët, konfirmoi diagnozën.

Kur sapo ma thanë, nisa të qaja. Nuk ishin lot frike, as paniku por ndërgjegjësimi se duhej t’i dorëzohesha një trupi, të cilin nuk e kontrolloja më. Madje, ndjeva një grimcë lehtësimi.

Në një mesazh prekës në Instagram, në vjeshtë të vitit 2018-ës, aktorja shkruante:

Pas simptomave të nënvlerësuara në vite, kam sklerozë të shumëfishtë, jam me aftësi të kufizuar.