Aktualitet

Njësia Antikorrupsion kallëzon penalisht 20 zyrtarë e ish-zyrtarë!

Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë kallëzoi penalisht 20 zyrtarë e ish-zyrtarë, si dhe për 75 të tjerë nisi procedimi disiplinor duke filluar nga vërejtje deri në shkarkim nga detyra. Sot në një konferencë për mediat, detajet i dha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, fillimisht duke veçuar dy raste abuzimesh e shkeljesh të ligjit në Memlisht të Pogradecit e Kanalin e Çukës në Sarandë. Për to u bënë kallëzimet penale përkatëse në prokuroritë respektive.

Duke kaluar te veprimet konkrete, te Njësia Antikorrupsion janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e rrethit Pogradec 15 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët kanë lejuar dhe regjistruar një objekt brenda një shkolle në kundërshtim flagrant me ligjin. Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare në fshatin Memlisht, ku është konstatuar ndërhyrje në regjistrat fizikë të pasurisë së shkollës, regjistrim antiligjor i objektit brenda shkollës, regjistrim me certifikatë pronësie, përfituar nëpërmjet një leje ndërtimi të marrë në kundërshtim me ligjin. Për këtë janë kallëzuar zyrtarët përgjegjës.

Rasti i dytë ka të bëjë me një denoncim të ardhur nga një qytetar i zakonshëm, i cili ka dhënë dijeni për disa legalizime të ndodhura në vitin 2019 e në vazhdim në Kadastrën e Sarandës, për zonën turizëm, Kanali i Çukës. Menjëherë inspektorët e Njësisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë kanë nisur verifikimet dhe pas hetimeve intensive në Kadastrën e Sarandës u konstatua legalizimi në kundërshtim me ligjin i dy objekteve me sipërfaqe 70 m2 dhe 81 m2. Për këtë janë kallëzuar penalisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë në Kadastrën e Sarandës duke nisur me ish-drejtorin dhe vazhduar me specialistët përkatës.

Ministri Manja shtoi se përveç kallëzimeve penale, për 75 zyrtarë janë propozuar masa disiplinore.

U propozua nisja e procedimit disiplinor për një sërë zyrtarësh në Fier, Durrës, Lezhë, Korçë, Tiranë Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Berat dhe Elbasan. Janë propozuar për masa administrative një sërë punonjësish në institucione të ndryshme.