Rajoni

“Nuk kam frikë pasi nuk kam pasuri”, Vuçiç i përgjigjet kërkesës së kongresmenëve amerikanë për hetimin e pasurive të tij.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk ka frikë nga ngrirja e pronave dhe llogarive jashtë vendit “sepse nuk i ka”.

Vuçiq e bëri këtë deklaratë, pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit në Panairin e Beogradit.

Komentet e tij vijnë edhe pas publikimit të një letre nga një grup i kongresistëve amerikanë, të cilët, sipas disa mediave, i kanë bërë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të shqyrtojë një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për personat që i kontribuojnë destabilizimit të situatës në Ballkanin Perëndimor.

Në letër, ndër të tjera, thuhet se mediat pro-qeveritare në Serbi po avancojnë “në një marrëdhënie të dobishme reciproke me Qeverinë”.

Po ashtu thuhet se presidenti serb ka thelluar korrupsionin në Serbi, duke përfshirë përdorimin e krizës së pandemisë si arsyetim për të mbuluar shpenzimet shtetërore dhe për të blerë pajisje mjekësore dhe respiratorë mbrojtës.

Vuçiq vlerësoi se blerja e respiratorëve “nuk është dëshmi e ndonjë korrupsioni”, por e luftës së tij për Serbinë.

“Unë gjithmonë do ta përsëris atë në të ardhmen,” tha ai.

Sipas Vuçiqit, teksti i letrës duket sikur “dikush e ka shkruar qëllimisht kundër Telekomit dhe unë isha aty si udhës”.

“I lus që të më ngrijnë pronën jashtë vendit. Nuk mund të gjeni as një, sepse nuk e kam jashtë vendit”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Vuçiq tha se kërkesa është nënshkruar nga disa kongresistë të Partisë Demokratike dhe se (letra) është “njëpartiake”, dhe se do të shihet se sa kongresistë do ta nënshkruajnë “rezolutën” serbe në muajin e ardhshëm.

“Të shohim sa miq ka Serbia në Kongresin amerikan”, tha Vuçiq.

Lidhur me faktin se Serbia nuk është në mesin e vendeve të ftuara në Samitin online për Demokraci, të organizuar nga presidenti Biden, Vuçiq tha se “secili ka të drejtë të vlerësojë demokracinë e dikujt tjetër ashtu siç dëshiron. ”