Bota

Nuk ndalen sulmet ruse në lindje të Ukrainës, i paqartë fati i Bahmutit!

Trupat e Moskës kanë kryer dhjetëra sulme në rajonet lindore ndërsa ushtria e Kievit thotë se zmbrapsi 60 të tillë, në 24 orët e fundit. Shtabi i Përgjithshëm ukrainas raporton edhe se forcat ruse vazhduan të shënjestrojnë lindjen e Ukrainës, duke patur në fokus qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës e Marinkës, në rajonin e Donjeckut.

Në rajonet e Zaporizhjës e Hersonit, ukrainasit po bëjnë përgatitje për atë që Kievi zyrtar e quan “evakuim të civilëve për në Krimenë e pushtuar nga Rusia”. Sulmet e reja vijnë mes raportimeve se forcat pushtuese ruse kanë bërë përparim në Bahmut. Zyrtarët ushtarakë britanikë thonë se ka të ngjarë që hynë në qendrën e qytetit e morën kontrollin e bregut perëndimor të lumit Bahmutka.

Fushata tetëmujore e Rusisë për të marrë Bahmutin dhe rezistenca e Ukrainës ka çuar në betejën më të gjatë e ndoshta më të përgjakshme që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.

Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes tha se përpjekjet e Rusisë për të “dëmtuar seriozisht” infrastrukturën energjetike të Ukrainës “ka të ngjarë që kanë dështuar”. Rusia ka kryer sulme që nga tetori i vitit 2022, por ekspertët vërejnë se ato në shkallë të gjerë kanë qenë të rralla që nga fillimi i marsit të kaluar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili po përballet me një urdhëarrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë, urdhëroi ushtrinë e tij që të marrë kontrollin e plotë të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës e Hersonit.

Rusia pretendon edhe se këto zona i përkasin pas aneksimit të paligjshëm, disa muaj më parë.  Ky aneksim pasoi referendumet false të organizuara nga Moska zyrtare e që nuk njihen nga Kievi dhe Perëndimi. Ndërkaq,  Ukraina ka sinjalizuar se shumë shpejt do të nisë një kundërofensivë për të rimarrë më shumë territor të humbur në mbi një vit luftë.