Tech

Nuk u pagoi punëtorëve bonuset e premtuara, paditet platforma X!

Rrjeti social X do të përballet me padi, sipas vendimit të gjykatësit federal nën akuzat nga stafi i kompanisë për mosdhënien e bonuseve të premtuara. Gjykatësi gjithashtu refuzoi kërkesën e X për ta pushuar çështjen. Drejtuesit u kishin dhënë garanci të përsëritura punëtorëve, para se Elon Musk të finalizonte blerjen e rrjetit social X në tetor të vitit 2022.

Por, pavarësisht këtyre premtimeve, kompania ka dështuar në dhënien e bonuseve për punëtorët e saj. Padia ishte ngritur në qershor të vitit 2023, në emër të punëtorëve. Padia u ngrit në një gjykatë federale të San Franciskos nga Mark Schobinger, i cili ishte drejtor i lartë i kompensimit në X derisa u largua nga kompania në maj. Padia përfshin ish-punonjësit dhe punonjësit aktualë të X, të cilët nuk kanë marrë bonuset e tyre të vitit 2022.

Së fundmi, gjykatësi federal i dha të drejtë çështjes së Schobinger dhe rasti i këtij të fundit do të vazhdojë. “Oferta e Twitterit, për t’i ofruar atij një bonus në këmbim, u bë një kontratë detyruese sipas ligjit të Kalifornisë”,-tha gjykatësi i qarkut amerikan, Vince Chhabria. Në ankesën e qershorit kur u bë i ditur edhe njoftimi se Musk do ta blinte kompaninë, shumë punonjës ngritën shqetësime për kompensimet dhe bonuset e tyre vjetore.

Disa muaj para se të finalizohej blerja, drejtuesit e kompanisë u premtuan vazhdimisht punonjësve se bonuset e vitit 2022 do të paguheshin me synim prej 50%. Premtimi ishte përsëritur edhe pas finalizimit të blerjes. Platforma X mund të humbasë deri në 75 milionë dollarë të ardhura nga reklamat deri në fund të vitit pasi dhjetëra marka të mëdha ndalojnë fushatat e tyre.

Arsyeja e eksodit të madh të reklamuesve ishin komentet antisemite me të cilat Musk duket se ishte dakord. Kjo ka bërë që kompanitë si Walt Disney dhe Warner Bros Discovery të ndalojnë reklamat në platformë. Dokumentet e brendshme të cituara nga New York Times në raport tregojnë se ka më shumë se 200 fushata nga kompani duke përfshirë Airbnb, Amazon, Coca-Cola dhe Microsoft, shumë prej të cilave kanë ndaluar ose po mendojnë të ndalojnë reklamat në X.