Bota

OBSH: Pritet një valë e tretë e koronavirus-it në fillim të 2021-shit

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH paralajmëron Europën se “Pa masat e duhura do të ketë një valë të tretë të pandemisë koronavirus në fillim të vitit të ardhshëm”. Në një intervistë për shtypin zviceran, i dërguari special i OBSH-së, David Nabarro kritikon qeveritë europiane se pasi vunë nën kontroll valën e parë, nuk u përgatitën gjatë verës dhe shton se “reagimi i Europës nuk ishte i plotë”. Ndërkaq, zyrtari i Organizatës përgëzon vendet aziatike si Koreja e Jugut ku sipas tij, “njerëzit janë të përgjegjshëm dhe paraqesin sjellje që e bëjnë të vështirë qarkullimin e virusit”.

Ndërkohë Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehet e shqetësuar lidhur me ritmin e ngadaltë të diskutimeve për të siguruar vaksinën kundër COVID-19 për vendet më të varfra të botës. Drejtuesit e G20-s u angazhuan të mos ndërpresin përpjekjet për të furnizuar këto shtete. Por, vazhdojnë të mungojnë 3.8 miliardë euro në buxhetin e Aleancës së Vaksinave, koalicion ndërkombëtar i ngarkuar të garantojë një shpërndarje të drejtë të vaksinave e pajisjeve mjekësore. Gjermania angazhohet me 500 milionë euro për programin botëror të vaksinimit.

Janë mbi 58 milionë të prekur nga koronavirusi në botë dhe më shumë se se 1 milionë e 370 mijë viktima. Shifrat i jep Universiteti Amerikan “Johns Hopkins”. Me më tepër se 12 milionë të prekur e rreth 256 mijë vetë që ndërruan jetë, kryeson Amerika si vendi më i goditur në botë dhe i ndjekur nga India e Brazili.