Bota

OBSH: “Shkon në 780 numri i rasteve me linë e majmunëve në 27 shtete!”

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH konfirmoi sot 780 raste të lisë së majmunëve në 27 vende të botës. Shifrat e fundit nuk llogarisin infektimet në shtetet afrikane, aty ku dhe virusi konsiderohet endemik. Aktualisht, rreziku i shëndetit publik në nivel global vlerësohet si i moderuar duke pasur parasysh se kjo është hera e parë që kemi kaq shumë raste të lisë së majmunëve.

Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se rreziku i shëndetit publik mund të bëhet i lartë nëse ky virus shfrytëzon mundësinë për t’u vendosur në vendet jo-endemike si një patogjen i përhapur njerëzor. Lia e majmunëve konsiderohet një sëmundje më pak e rëndë në krahasim me linë, e cila u zhduk në vitin 1980. Patogjeni transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të ngushtë fizik. Simptomat zakonisht zhduken brenda disa javësh, por herë pas here mund të çojnë në komplikime dhe vdekje, ndonëse në raste shumë të rralla.

Askush nuk ka vdekur në mesin e 780 rasteve të raportuara. Megjithatë, prej fillimit të vitit, 66 persona kanë humbur jetën në pesë vende afrikane, siç raportohet, “nga shkaqe që lidhen me linë e majmunëve”.

Për momentin, në Kosovë ka vetëm dyshime për një rast të lisë së majmunëve, rast ky që është dërguar për testim jashtë vendit. Pacienti është një burrë i lindur në vitin 1953 dhe me banim në komunën e Dragashit. Për konfirmime të mëtejshme, analizat e tij u dërguan në Holandë nga ku pritet përgjigje zyrtare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, aktualisht ky person është në gjendje të qëndrueshme e ndodhet në izolim, duke shmangur kontaktet. Për herë të parë, lia e majmunëve u zbulua te majmunët, në vitin 1958 në Afrikë. Sa i përket infektimit te njerëzit, rasti i parë u regjistrua në vitin 1970, në Republikën Demokratike të Kongos. Tashmë, tërheq vëmendjen fakti që ka raste të shpërndara në disa vende, në kontinente të ndryshme.