Bota

OKB e alarmuar nga rritja më e lartë e çmimeve të ushqimeve në botë!

OKB-ja jep alarmin se për shkak të agresionit rus në Ukrainë, çmimet e ushqimeve në botë janë në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas FAO-s, Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, nga shkurti në mars të këtij viti, indeksi përkatës u rrit me 12.6%.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe lufta që po vazhdon ka shkaktuar një valë tronditëse në tregun botëror të ushqimeve.

Për shkak të luftës në Ukrainë e sanksioneve të shtuara ekonomike të Perëndimit kundër Rusisë, eksportet dhe zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë. Kjo ka prekur rëndë tregjet duke shkaktuar rritjen e çmimeve të ushqimeve.

Siç dihet, Rusia e Ukraina dhe janë vende të rëndësishme ku kultivohen grurë, misër e luledielli. Ukraina veçohet si furnizuesi më i madh me ushqime i Programit Botëror të Ushqimit, që shpërndan ushqime për 125 milion persona në mbi 80 shtete të botës. Nëse arat në Ukrainë vazhdojnë të mos punohen, nuk mund të ketë korrje. Eksportet e grurit përmes porteve ukrainase do të mbeten të bllokuara për shkak të luftës, çka e bën shumë më kritike situatën për një sërë vendesh dhe zona krize.

Pas bisedimeve me Bashkimin Europian dhe Francën në selinë e Programit Botëror të Ushqimit në Romë, kreu i programit, David Beasley deklaroi:

Afganistani, Egjipti dhe Siria janë veçanërisht të varura nga importet nga Ukraina. Miliona vetë rrezikohen! Rritja e çmimeve ka shkaktuar mungesa edhe në Lindjen e Mesme e Afrikën Lindore. Tani po flasim për një konflikt në shportën e bukës në botë sepse Ukraina prodhon ushqim për rreth 400 milion njerëz në mbarë globin. Edhe para sulmit rus, çmimet e karburanteve, ushqimeve e plehrave kimikë u rritën ndjeshëm, por me përshkallëzimin aktual “po përjetojmë stuhinë e përsosur”.

Ndërsa kriza ushqimore i shtyn njerëzit të ikin, Organizata Botërore e Tregtisë, OBT pret që çmimet e grurit të rriten me 85 përqind në mbarë botën për shkak të një korrjeje të dështuar në Ukrainë. Beasley llogarit se hendeku në financimin për ndihmën e organizatës së tij do të jetë mes 8 dhe 9 miliard dollarëve në vit nga rritja e çmimit. Agjencia e OKB-së vuan nga mungesa e vazhdueshme e parave, sepse nuk ka një buxhet fiks dhe mbështetet në donacionet e qeverive.