Bota

OKB: “Irani planifikon të instalojë dy pajisje në centrifugat e avancuara!”

Sipas Kombeve të Bashkuara, “Irani planifikon të instalojë edhe dy pajisje në centrifugat e tij të avancuara, që do ta lejonin të pasurojë me shpejtësi më shumë uranium”. Vendimi për të vendosur pajisje të reja në centrifugat IR-6 në uzinën nëntokësore Natanz, vjen pasi dje, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore e censuroi Teheranin.

Kjo agjenci tha se “Republika Islamike dështoi të ofrojë informacione të besueshme” mbi materialet bërthamore të gjetura në tre uzina të padeklaruara bërthamore”.

Edhe para se anëtarët e Agjencisë të votonin, Irani ndali dy pajisje që përdoren nga OKB-ja për të monitoruar pasurimin e uraniumit në uzinën bërthamore të Natanzit. Zyrtarët iranianë kërcënuan se do të ndërmarrin më shumë hapa ndërsa kriza rrezikon të zgjerohet më tej.
Sot në mbledhjen e zhvilluar në Vjenë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi, u tha anëtarëve se “Irani po planifikon të vendosë pajisje të reja në Natanz, që mundësojnë rrotullimin më të shpejtë të centrifugave, për pasurimin e uraniumit”.

Centrifugat IR-6 mund të prodhojnë uranium dhjetë herë më me shpejtësi se gjenerata e parë e centrifugave, e kufizuar në marrëveshjen e vitit 2015 mes Iranit e fuqive botërore.

Sipas marrëveshjes bërthamore, Teherani duhet të kufizojë pasurimin e uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por, më 2018-ën, presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, tërhoqi Uashingtonin nga akordi dhe riktheu sanksionet. Që nga ajo kohë, në Vjenë po zhvillohen bisedime për ringjalljen e marrëveshjes që synon frenimin e programit bërthamor të Teheranit.

Ekspertët paralajmëruan se Irani ka pasuruar uranium deri në 60 për qind pastërti, ndërsa 90 për qind pastërti është niveli i kërkuar për prodhimin e armëve bërthamore. Irani pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, edhe pse ekspertët e Kombeve të Bashkuara dhe Inteligjenca perëndimore kanë paralajmëruar se Republika Islamike po synon të krijojë armë bërthamore.