Aktualitet

Operacion anti-drogë në Tiranë, u tentua goditja e policëve me automjet/Një trafikant i plagosur, tre në pranga!

Detaje mbi operacionin policor antidrogë të orëve të vona të mbrëmjes në Tiranë, me një të plagosur. Njoftohet se një grup personash, të dyshuar se trafikonin lëndë narkotike, nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar dhe tentuan të godasin policët me automjet. Blutë qëlluan në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur një 30-vjeçar, i cili po trajtohet në Spitalin e Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Tre vetë ranë në pranga, Enea Sulejmani, Igli Begaj e Shkëlqim Osteni dhe u sekuestrua 1 kg drogë e llojit kokainë.

Në datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim automjetin e sherbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar, një nga punonjësit e policisë qëlloi me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë u plagos shtetasi E.S., i cili u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës nga punonjësit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë, të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.  Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.

Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.

Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla:

Ndërsa Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike pak momente më parë gjatë një operacioni të njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, personat e dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në përpjekje për tu larguar kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit.

Si Ministër i Brendshëm duhet të rikujtoj se kushdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën (siç ndodhi sonte) në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO. Policia e Shtetit ka gjithë mbështetjen për të vijuar goditjen e krimit, në gjitha format e tij.