Aktualitet Politikë

Opozita akuza kryeministrit Rama për mesazhe të koduara ndaj SPAK-ut!

Për ish-kryeministrin Berisha, “hajduti mbron hajdutin apo binomi Rama-Dvorani!”. Fjalimin e Ramës në Asamblenë Socialiste ku kritikoi SPAK-un, Berisha e cilësoi “ligjërate të denjë për bodrumet e mafies”. Sipas tij, “Edi Rama sulmon SPAK-un e partisë për hetimin që ky organ guxon t’i bëjë famozit Dvorani, i cili gjatë vetting-ut doli se kishte fshehur 82 mijë euro”.

Në një dalje nga Selia Blu, deputeti demokrat Belind Këlliçi reagoi sot për kritikat e kryeministrit Rama ndaj SPAK-ut, duke i interpretuar si “mesazhe të koduara”. Këlliçi tha:

Sulmi i përsëritur i Ramës kundër SPAK-ut, ka të bëjë me Edi Ramën dhe të korruptuarit që e rrethojnë atë. Kjo edhe në bazë të një sërë informacionesh të besueshme, në lidhje me disa hetime ndërkombëtare rreth personit të tij.

Sulmi i tij është mesazh i koduar ndaj SPAK-ut që të tërhiqet nga çështjet që prekin Ramën dhe njerëzit e tij. Kjo në botën perëndimore konsiderohet vepër penale dhe dënohet rëndë. Sulmi i sotëm është treguesi se Ramës i ka ardhur fundi. I vetmi turp i SPAK-ut do të ishte nëse i nënshtrohet dhunës së kryeministrit. Turp do të ishte që Rama dhe qeveria e tij, të mos ndëshkoheshin!

Më herët gjatë ditës së sotme ishte deputeti tjetër demokrat, Ervin Salianji, i cili kritikat e Ramës për SPAK-un, i quajti “sulm ndaj drejtësisë”. Në rrjetet sociale, Salianji postoi këtë reagim:

Kush e ka frikësuar KM aq sa të sterrojë dhe ti nxjerrë dhëmbët drejtësisë deri në kërcënimin me skualifikimin e SPAK?! Një Asamble Socialiste e organizuar për shown e Ramës në sulmin ndaj drejtësisë, SPAK dhe partnerëve! Kush e ka frikësuar KM aq sa të sterrojë dhe t’i nxjerrë dhëmbët drejtësisë deri në kërcënimin me skualifikimin e SPAK?!

Çdo strukturë e drejtësisë në  Shqipëri ka detyrimin të kontrollojë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë të korruptuarit, abuzuesit, shpërdoruesit e pushtetit që janë në pushtet, që qeverisin dhe që e kanë bërë Shqipërinë të nxijë në çdo raport ndërkombëtar! Drejtësia duhet t’i qëndrojë përballë presionit mafioz që kërkon ta intimidojë! Axhendën e drejtësisë nuk mund ta diktojë Rama dhe Partia Socialiste!

Prokuroria e Posaçme konfirmoi se “nuk ka asnjë çështje penale ndaj Ardian Dvoranit”, ndërsa reagon kryeministri:

Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAK-u do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin!

Nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova në Asamble. Nuk mjafton që SPAK të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës.