Politikë

Opozita akuza qeverisë për katërfishim të kostove të rrugëve!

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo deklaroi sot se “Qeveria Rama i ka “rilindur” rrugët duke i katërfishuar në kosto”. Në një deklaratë, theksoi standardin e PD-së në kohën kur qeveriste vendin, kur sipas tij, “1 km rrugë ndërtohej me 950 mijë euro, ndërsa qeveria Rama i ka “rilindur” rrugët duke i katërfishuar në kosto. Po ashtu, u ndal te “tenderimet e trefishta për të njëjtin segment rruge, duke akorduar fonde shtesë, krejtësisht abuzive dhe të pambështetura”.

Kemi shfaqjen e të njëjtëve emra përfituesish, ku “nxijnë” Gjoka dhe AlbStar, oligarkët e preferuar të Rama 1, 2 dhe 3 në Bashki dhe Rama 1, 2 dhe 3 në Qeveri. Në serialin “Nuk keni parë gjë akoma”, ky nuk është episodi i fundit. Por, një gjë duket qartë: Shqipëria në rrezik.

Bozdo solli fakte dhe shifra nga ndërtimi i rrugëve në vite:

Viti 2012

Në 7 muaj ndërtohet loti i parë i rrugës Kardhiq-Delvinë: 5.6 milion euro për 7 kilometra. Punë e “qeverisë Berisha” të Partisë Demokratike.

Shtator 2018

Loti 4 i tenderohet firmës “Gjoka Konstruksion”: 20 milion euro për 6.1 kilometra. Loti 5 i tenderohet firmës “Alb Star”: 14 milion euro për 3.3 kilometra.

Prill 2021

Autoriteti Rrugor Shqiptar për të njëjtin segment i akordon Gjoka Konstruksion një fond shtesë: 3.8 milion euro. ARRSH e zgjidh qesen me fond shtesë edhe për Alb Star-in: 2.6 milion euro.

Tetor 2018

ARRSH ia tenderon lotin 6, firmave Agbes dhe Arbëria: 20 milion euro për 4.5 kilometra.

Prill 2021

Autoriteti akordon, edhe për lotin 6, një fond shtesë: 3.9 milion euro.

Korrik 2020

Lotin 7 qeveria ia jep Gjoka Konstruksion: 15 milion euro.

Shkurt 2022

Firma Jubica merr tenderin për sinjalistikën rrugore: 1.8 milion euro.

Maj 2022

Firma Gener merr tenderin e sistemimit të skarpateve të rrugës: 11 milion euro.