Aktualitet Politikë

Opozita kundër vendimit të Prokurorisë për të ndaluar mediat të publikojnë të dhënat e hakeruara!

Opozita dënon urdhrin e Prokurorisë që mediat të publikojnë email-et e hakeruara. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, zëdhënësja Floriana Garo deklaroi se “pas shpartallimit të plotë në një akt agresioni nga hakerat iranianë të të gjithë infrastrukturës digjitale dhe nxjerrjes në treg të të gjitha të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë e të dhënave zyrtare sekrete, Prokuroria e partisë, me urdhër policesk, ndalon mediat që të botojnë të dhënat e bëra publike anembanë”.

Partia Demokratike e dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt anti-kushtetues, policesk dhe banditesk të Edi Ramës. Kjo është një përpjekje e shëmtuar për të rikthyer censurën në Shqipëri. Kjo vjen nga një qeveri që e ka ngritur me kohë sektorin e agjitacion-propagandës, të marrë hua nga mëma e vet ideologjike, Partia e Punës. Kjo vjen nga një qeveri që ende e ka në sirtarë një projektligj që e quan anti-shpifje, por nuk është asgjë më pak se përpjekja për të heshtur median dhe kufizuar kundërshtarët politikë. Reagimi i fuqishëm i të gjitha organizatave botërore të medias, nga Brukseli në Uashington e dëshmon këtë.

Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë për mediat dhe iu bën thirrje gazetarëve, redaktorëve, botuesve e blogerëve, të refuzojnë me guxim çdo përpjekje te regjimit për të vendosur censurën, që karakterizon regjimet moniste, si ky i Edi Ramës.

Ndërkohë, vendimin e organit të akuzës e dënoi edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili thekson:

Liria e mediave është vendimtare për të garantuar Transparencën dhe Llogaridhënien. Frikësimi i mediave dhe gazetarëve synon të mbrojë nga pandëshkueshmëria përgjegjësit e vërtetë të cënimit të sigurisë kombëtare. Korrupsioni galopant dhe kapja e shtetit kanë dëmtuar rëndë edhe sigurinë kombëtare. Akti i fundit i Prokurorisë nën diktatin e Kryeministrit fajtor veçse do të kontriubojë në përkeqësimin e pozitës të Shqipërisë lidhur me lirinë e medias.