Aktualitet

Mesha e Pashkës, Imzot Dodaj kërkon horizont më me shpresë për të rinjtë!

Sot paradite, Arqidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës zhvilloi meshën e Pashkës katolike në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj uroi besimtarët dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, sociale e mediatike për t’u vënë në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë.

Jo vetëm në Tiranë, shumë qytetarë iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytetet e zonat ku jetojnë për festën e shenjtë.

Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit”, dje besimtarët katolikë shkuan në kishë për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së  Pashkës. Ndërkaq, në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka tradicionale, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma e që simbolizojnë ardhjen e pranverës ndërsa në krye qëndron veza e kuqe, si simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.

Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëmje që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të ditës së sotme. Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.

Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Një mesazh të ndjerë për fitoren e jetës mbi vdekjen dha në mesnatë Papa Françesku:

Kur i përjetojmë zhgënjimet, ne kemi ndjesinë se shumë ëndrra janë të destinuara të shkatërrohen dhe ne gjithashtu pyesim veten në ankth: kush do ta rrokullisë gurin nga varri ynë? Por, Pashka e Krishtit është fitorja e jetës mbi vdekjen, triumfi i dritës mbi errësirën, rilindja e shpresës brenda rrënojave të dështimit. Eshtë Zoti, Perëndia që përgjithmonë ka rrokullisur gurin dhe filloi të hapë varret tona, që shpresa të mos marrë fund.

Që nga ai moment, nëse e lëmë veten të na kapë për dore Jezusi, asnjë përvojë dështimi dhe dhimbjeje, sado të na lëndojë, nuk mund të ketë fjalën e fundit për kuptimin dhe fatin e jetës sonë. Që nga ai moment, nëse e lejojmë veten të na kapë i Ngjalluri, asnjë disfatë, asnjë vuajtje, asnjë vdekje nuk do të mund të ndalojë udhëtimin tonë drejt plotësisë së jetës.