Bota

Papa Françesku: Pashka largon gurët e vdekjes!

Në mesnatë, Papa Françesku drejtoi Meshën e Pashkës, për mbi 2 orë në Bazilikën e Shën Pjetrit, një nga shërbesat më të gjata, mes shqetësimeve për gjendjen e shëndetësore të papës 87-vjeçar. Ati i Shenjtë iu bëri thirrje besimtarëve të gëzohen pavarësisht krizave politike apo shqetësimeve personale e globale. Konkretisht, përmendi mizorinë e luftës, si edhe egoizmin e indiferencën.

Dëshira për paqen e thyer nga egërsia e luftës

Ata janë “gurë të vdekjes” dhe ne i ndeshim gjatë rrugës, në të gjitha ato përvoja e situata që na vjedhin entuziazmin dhe forcën për të ecur përpara. Në vuajtjet që na prekin dhe në vdekjet e njerëzve të dashur, që na lënë boshllëqe të paplotësueshme, në dështimet dhe frikërat që na pengojnë të bëjmë gjërat e mira që na interesojnë, në të gjitha mbylljet që ngadalësojnë shpërthimet tona të bujarisë e nuk na lejojnë të hapemi ndaj dashurisë.

Në muret prej gome të egoizmit dhe indiferencës, të cilat refuzojnë angazhimin për të ndërtuar qytete dhe shoqëri më të drejta e në shkallë njerëzore. Në të gjitha dëshirat për paqen e thyer nga mizoria e urrejtjes dhe egërsia e luftës.

Fitorja e jetës mbi vdekjen

Kur i përjetojmë këto zhgënjime, ne kemi ndjesinë se shumë ëndrra janë të destinuara të shkatërrohen dhe ne gjithashtu pyesim veten në ankth: kush do ta rrokullisë gurin nga varri ynë? Por, Pashka e Krishtit është fitorja e jetës mbi vdekjen, triumfi i dritës mbi errësirën, rilindja e shpresës brenda rrënojave të dështimit. Eshtë Zoti, Perëndia që përgjithmonë ka rrokullisur gurin dhe filloi të hapë varret tona, që shpresa të mos marrë fund.

Që nga ai moment, nëse e lëmë veten të na kapë për dore Jezusi, asnjë përvojë dështimi dhe dhimbjeje, sado të na lëndojë, nuk mund të ketë fjalën e fundit për kuptimin dhe fatin e jetës sonë. Që nga ai moment, nëse e lejojmë veten të na kapë i Ngjalluri, asnjë disfatë, asnjë vuajtje, asnjë vdekje nuk do të mund të ndalojë udhëtimin tonë drejt plotësisë së jetës.

Popull martir, largoje dëshpërimin

Popuj të thyer nga e keqja e të goditur nga padrejtësia, popuj pa vend, popuj martirë, sonte largoni dëshpërimin! Njeriu i pikëllimit nuk është më në burg: ka hapur një çarje në mur e nxiton për të ardhur te ju. Eshtë gjallë, u ringjall!  Eshtë Pashka e Zotit, është festa e të gjallëve.