Sport

KATEGORIA SUPERIOREEgnatia në “sprintin” e fundit, përballë Laçit për të siguruar “Final 4”!

Egnatia arriti që të fitojë 2-1 në ndeshjen e javës së 31-të me Partizanin, duke konsoliduar akoma dhe më tepër pozitën e saj në vendin e parë. Skuadra nga Rrogozhina ka kryesuar gjatë gjithë kampionatit, duke u renditur mes skuadrave favorite për titullin kampion.

Të besuarit e Edlir Tetovës do të luajnë me Laçin këtë fundjavë dhe do të kenë mundësinë për të siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “final4”.

Sigurisht vetëm objektivi minimal, pasi në vazhdim do të kërkohet vendi I parë I cili vlen 100 milionë lekë të vjetra. Duhet kujtuar se skuadrat që renditen në vendin e parë dhe të dytë kanë avantazh barazimin në gjysmëfinalet e final 4.

Skuadra e Tetovës më pas do të luajë më pas dy ndeshje me Vllazninë, ndaj të cilës do ketë në dorë verdiktet përfundimtare, pasi mund të sigurojë finalen e Kupës së Shqipërisë nëse ruan avantazhin 1-0 të arritur në ndeshjen e parë, ndërkohë që në krahun tjetër nëse merr fitoren në kampionat, siguron matematikisht dhe vendin e parë e në 3 javët e mbetura mund të mendojë qetësisht për “final4”.

Kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit të rregullt në kampionatin “Abissnet Superiore” ku të gjitha skuadrat po luftojnë për objektivat sezonal. Megjithatë spektakli i vërtetë i këtij edicioni do të nisë pas përfundimit të javës së 36-të.

Ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë edicion në kampionatin “Abissnet Superiore” do të aplikohet një formulë e re, “Final Four”. Pas përfundimit të 36-të javëve, katër skuadrat më të mira të sezonit do të përballen me njëra-tjetrën për të shpallur ekipin kampion të këtij sezoni. Çdo gjë do të nisë me hedhjen e shortit që do të organizohet nga FSHF, menjëherë sapo të përfundojë java e 36-të e kampionatit. Skuadrat do të ndahen në dy vazo, ku në vazon 1 do të vendosen (vendi i parë dhe i dytë), ndërsa në vazon 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Në finale kalojnë ekipet fituese dhe ajo që duhet saktësuar është që skema “Final 4” favorizon skuadrat e renditura më mirë në klasifikim në dy ndeshjet gjysmëfinale, pasi vendi i parë dhe i dytë mund të sigurojë finalen edhe falë barazimit. Më pas do të luhet gjithçka në finalen e madhe për titullin kampion mes dy skuadrave që do të kualifikohen më tej, ndërsa ekipet që do të eliminohen nga faza gjysmëfinale do të luftojnë për vendin e tretë.

Skema e re e kampionatit ka nxitur akoma edhe më shumë konkurencën dhe të gjitha skuadrat po luftojnë për objektivat e tyre. Jemi pesë javë nga fundi i kampionatit të rregullt dhe ende nuk është vendosur asgjë edhe për “Final Four”, por edhe për objektivin mbijetesë. Kjo skemë ka si synim për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit, për të promovuar sa më shumë kampionatin shqiptar dhe për t’u dhuruar tifozëve ndeshje me më shumë nivel në fundin e kampionatit.