Food & Drink Lifestyle

Pas 2 vitesh mungesë, rikthehet Oktoberfest!

Së fundmi, mijëra gjermanë dhe turistë nga vende të ndryshme të botës janë mbledhur në Mynih, pasi ka nisur zyrtarish Oktoberfest, festivali më i famshëm i birrës në botë. Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë vit festën e birrës ishte fakti se rikthehej pas dy vitesh, e pezulluar nga pandemia e koronavirusit, diçka që nuk ndodhte që prej kohës së Luftës II Botërore.

Të veshur me pantallona lëkure dhe këmishët tradicionale bavareze, vendas e të huaj u dyndën në lokalet dhe tendat e hapura enkas, për të shijuar birrën më të mirë bavareze dhe ushqimet e zonës. Festimet nisën zyrtarisht kur kryebashkiaku i Mynihut, Dieter Reiter, hapi fuçinë e parë të birrës, pasuar me 12 të shtëna armësh që janë sinjali i tendave të tjera për t’u hapur.

Ky është edicioni i 187-të i festës që është parashikuar të mbyllet më 3 tetor, pasi të jenë pirë miliona litra birrë. Rekordi mbahet nga viti 2014, ku u konsumuan 7,7 milionë litra. Zakonisht 6 milionë njerëz marrin pjesë në festime. Rikujtojmë, se së fundmi hulumtimi i Universitetit Ilinois ka zbuluar se konsumimi i birrës mund t’i bëjë njerëzit më të zgjuar. Në hulumtim kanë marrë pjesë 40 meshkuj midis moshës 21 dhe 30 vjeç. Gjysma e të përzgjedhurve kanë pirë dy gota birrë, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë nuk kanë konsumuar fare alkool.

Të gjithë janë detyruar të zgjidhin serinë e detyrave me asociacione pra kanë marrë disa fjalë dhe janë detyruar pastaj t’i propozojnë fjalët të cilat përfshihen në atë grup. Rezultati? Grupi i cili ka konsumuar birrë ka zgjidhur 40% më shumë detyra se kolegët e tyre esëll. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit të cilët kanë konsumuar birrë kanë zgjidhur më mirë detyrat kreative njëkohësisht kanë dalë me rezultate më të këqija në testet e memories.