Bota

Pas marrëveshjes, Turqia do t’i dërgojë Suedisë e Finlandës kërkesat për ekstradim!

Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag tha se Turqia do t’i rinisë Suedisë dhe Finlandës kërkesat për ekstradim të individëve që i konsideron terroristë. Kjo pasi tre vendet arritën një marrëveshje që i hap rrugën Helsinkit e Stokholmit për t’u anëtarësuar në NATO. Bozdag bën të ditur se së shpejti do të dërgohen kërkesat zyrtare për ekstradim të 33 anëtarëve të Partisë Kurde PKK dhe anëtarëve të tjerë të rrjetit “FETO”, të konsideruar përgjegjës për tentativën për grusht shteti të vitit 2016.

Dje në Madrid u nënshkrua një memorandum mes Ankarasë, Helsinkit dhe Stokholmit, pas të cilit Turqia hoqi veton ndaj kërkesës së vendeve skandinave për anëtarësim në NATO, në këmbim të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.

Dosjet e gjashtë anëtarëve të PKK-së, gjashtë anëtarëve të FETO-s ndodhen në Finlandë, ndërsa ato të dhjetë anëtarëve të FETO-s dhe 11 anëtarëve të PKK-së gjenden në Suedi. Zyrtarisht, ne do të kërkojmë përsëri ekstradimin e tyre pas marrëveshjes dhe do t’ua kujtojmë.

Në tekstin e memorandumit që tre vendet nënshkruan, Finlanda dhe Suedia ranë dakord të adresojnë kërkesat e pezulluara të Turqisë mbi deportimin ose ekstradimin e të dyshuarve për terrorizëm, në përputhje me Konventën Europiane për Ekstradimin.

Në Madrid, presidenti finlandez Sauli Niinisto deklaroi se nuk kanë asnjë kërkesë ekstradimi të pazgjidhur për momentin. Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se “Suedia do të vazhdojë të ndjekë ligjet ndërkombëtare mbi ekstradimet”. “Varet se çfarë informacioni marrim nga Turqia në këtë fushë”, – u shpreh shefja e qeverisë së Stokholmit për Reuters-in.

Turqia, një anëtare e NATO-s prej më shumë se 70 vjetësh, me ushtrinë e dytë më të madhe të Aleancës, prej kohësh ka kërkuar që aleatët të ndalojnë mbështetjen për YPG-në, një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri. Vazhdimisht, shteti turk ka shkëmbyer informata me Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe të tjerët mbi këtë çështje.