Aktualitet

Pas takimit me eurodeputeten Santos, Balla: “Zgjatja e afateve të vetting-ut, emergjencë!”

Edhe pse mbledhja e fundit e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me debate mes socialistëve, janë nisur pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias për ndryshime kushtetuese, për zgjatjen e afateve të vetting-ut. Taulant Balla tha se nuk duhet humbur kohë. Shefi i grupit socialist njoftoi se e diskutoi këtë edhe me deputetin Fatmir Xhafaj, i cili pati abstenuar vendimin për pjesën nëse duhej të merrej opinioni. Balla e bëri deklaratën pas takimit me raportuesen për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos.

Sipas tij, mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të ndikojnë në vendin tonë. Ndërkaq, tregoi se kanë biseduar dhe për Reformën në Drejtësi dhe për zgjatjen e mandateve të vetting-ut deri në vitin 2024, duke thënë se është nevojë emergjente.

Do të kemi parasysh publikimin nga ana e Komisionit Europian të progres-raportit, i cili duhet ta ritheksoj që është një nga më të mirët, që i ka hapur dritën jeshile Shqipërisë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ai është momenti formal i fillimit të bisedimeve të një vendi që synon të anëtarësohet në BE, edhe pse kjo më mënyrë të pandershme është ndërlidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes një vendi anëtar si Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Shpresoj që kjo çështje të zgjidhet, por e pamundur që të marrë një drejtim nga kushtet e krijuara.

Për Shqipërinë është e rëndësishme që të vazhdojmë të intensifikojmë përpjekjet tona për të çuar më përpara reformat. Kemi biseduar për çështje që lidhen me Reformën në Drejtësi, për nevojën e dakordësisë të të gjitha palëve për zgjatjen e mandateve të vetting-ut deri më 30 dhjetor të vitit 2024.

Isabel Santos u prit sot edhe nga presidenti Ilir Meta.