Aktualitet

Pas zjarreve të verës bëhen bilancet e dëmeve!

Zjarret që këtë sezon veror përfshinë vendin shkaktuan dy viktima e çuan në djegien e mbi 33 mijë hektarëve kullota, shkurre e pyje, si dhe të 14 mijë rrënjëve ullinj e pemtari. Gjatë një aktiviteti në bazën ajrore të Farkës, kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencës Civile, Haki Çako deklaroi se në muajt korrik-gusht shpërthyen 389 vatra e zjarri më masiv ishte në Gadishullin e Karaburunit.

Gjithashtu nuk u kursyen banesa ndaj u konsiderua e domosdoshme kërkesa për ndihmë dhe asistencë ndërkombëtare, çka erdhi me helikopterët e dërguar nga Holanda e Çekia.

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë për të çuar përpara modernizimin e Mbrojtjes Civile e premtoi rritje të pagave. Rama garantoi se do të bëjnë atë që duhet për të rritur pagën e që sipas tij, nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme për trupat që përballen me sfidat kërcënuese për jetën. Kryeministri u ndal edhe te aspekti kriminal i situatës së zjarreve.

Për piromanët u shpreh se meritojnë të kalben prapa hekurave. Shefi i qeverisë shfaqi shpresën që gjykatat të japin vendimet e duhura siç theksoi “këta kriminelë barbarë jo vetëm duhet të kalben në burg, por t’u japin mesazh të qartë të tjerëve si ata”.

Meritojnë të kalben prapa hekurave dhe shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura. Uroj shumë që gjykatësit që japin këto vendime të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe për kaq shumë pemë, burime jete, të shkatërruara. Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, janë pasuria e të gjithëve bashkë dhe ato janë thesari që kemi detyrimin t’ua shtojmë dhe tua trashëgojmë fëmijëve tanë. Ky është një vendim që gjykatësit do t’a japin për fëmijët e tyre. Uroj të bëjnë gjënë e duhur dhe që këta  kriminelë barbarë jo vetëm të kalben në burg, por edhe të shërbejnë për t’u dhënë mesazh atyre që potencialisht mund t’u ngjajnë kur vjen vera e ardhshme.