Bota

Pekini kërcënon “hakmarrje” ndaj Amerikës pas bojkotit diplomatik të “Pekin 2022”!

Kina kërcënon se do t’i kundërpërgjigjet Shteteve të Bashkuara për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.

Pa hyrë në hollësi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijain deklaroi:

Lojërat Olimpike nuk janë skenë për shfaqje dhe manipulime politike. Amerika do të paguajë çmim për këtë!

Ky reagim i Kinës erdhi pasi dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të dërgojë diplomatë apo përfaqësues zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”. Uashingtoni tha se ekipi olimpik amerikan do të ketë mbështetjen e plotë të administratës dhe nuk do të ndikohet nga bojkoti diplomatik.

Administrata e presidentit Biden, nuk do të dërgojë asnjë diplomat apo zyrtar në Lojërat Olimpike “Pekin 2022” dhe as në Lojërat Paralimpike. Kjo për shkak të genocidit të vazhdueshëm të Kinës dhe krimeve kundër njerëzimit në Ksinjiang e shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut.

Për Amerikën, dërgimi i diplomatëve apo përfaqësuesve zyrtarë do të nënkuptonte se i trajton këto lojëra si ngjarje normale, në kohën e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mizorive të tjera të Kinës në Ksinjiang. Thjesht, nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë! Atletët do të kenë mbështetjen e plotë, por ne do t’i përkrahim nga shtëpia.

Ndërkaq, Sarah Hirshland, Shefe Ekzekutive e Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-ve, tha se “ekipi është i gatshëm ta bëjë krenar kombin”.

Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022” nisin më 4 shkurt dhe do të zgjasin deri më 20 shkurt.

Si arriti Pekini të marrë organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore, kaq shpejt pas atyre Verore më 2008?

Pekini bëhet qyteti i parë në histori që do të organizojë Lojërat Verore dhe Dimërore Olimpike. Përgjigja është se qytetet europiane u tërhoqën nga gara për organizimin e Olimpiadës, pas skandalit me doping në Lojërat Dimërore “Soçi 2014”.